Është shtyrë për ditën e nesërme seanca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Njoftimin e ka bërë kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Seanca për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës do t’i vazhdojë punimet nesër më datë 4 prill 2021 në orën 17:00”, tha Konjufca.
Të dyja raundet e mbajtura gjatë seancës së sotme dështuan për të nxjerrë një president të ri. Në votimin e parë morën pjesë 78 deputetë, ndërsa në të dytin 79. Ndërkohë, numri i nevojshëm i deputetëve që duhet të jenë pjesëmarrës është 80.
Kandidatë për presidentë janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, biografia e të cilëve u prezantua nga deputetja e LVV, Mimoza Kusari Lila gjatë seancës. Në sallën e Kuvendit kanë qenë të pranishëm 82 deputetë, por jo të gjithë morën pjesë në votim. Avdullah Hoti, Agim Veliu, Driton Selmanaj dhe Valentina Bunjaku, nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë votuar, megjithëse partia e tyre vendosi që të mbështesë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.
Nëse zgjedhja e presidentit nuk arrihet deri në raundin e tretë, atëherë vendi mund tgë shkojë në zgjedhje të parakohshme. Jo më larg se 14 shkurti Kosova mbajti zgjedhjet më të fundit të parakohshme ku u shpall fituese Vetëvendosje me më shumë se 50% të votave.