Ka filluar me vonesë seanca parlamentare për zgjedhjen e presidentit në Kosovë dhe vetëm pak pas fillimit kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar një pushim 15-minutësh.
Votat e nevojshme për të zgjedhur presidentin janë 60, ndërsa në Kuvend janë aktualisht 84 deputetë nga Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa partitë e tjera opozitare, PDK, AAK dhe Lista serbe nuk janë të pranishëm.
Kryetarja e grupit parlamentar të LVV, Mimoza Kusari Lila ka prezantuar biografinë e Vjosa Osmanit, Haxhi Avdylit dhe të Nasuf Bejtës që janë kandidatët për president. Në Kuvend duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë , ndërsa mjafton kuorumi prej 60 votash për t’u zgjedhur presidenti.
Kosova është me ushtrues të detyrës së presidentit (u.d) që prej 5 nëntorit të vitit 2020 kur Hashim Thaçi dha dorëheqjen pasi u konfirmuan aktakuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Zgjedhjet parlamentare të parakohshme të Kosovës u mbajtën në 14 shkurt, ku LVV fitoi me më shumë se 50% të votave, ndërsa në 22 mars u mbajt edhe seanca për konstituimin e Kuvendit dhe miratimin e qeverisë së re me kryeministër Albin Kurtit që mori mbështetje nga 67 deputetë.
Ndërkohë, në zgjedhjen e presidentit nëse dështon raundi i tretë duhen mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 45 ditësh.