Ditën e sotme në vend ka nisur vaksinimi për gazetarët dhe operatorët e terrenit, duke u cilësuar si një kategori që është në rrezik prej virusit për shkak të profesionit. Ndërkohë që vaksinimi vazhdonte në sheshin “Skënderbej”, një tjetër gazetare e njohur ka zgjedhur që të vaksinohet ‘live’ në studio.
Spikerja e njohur e lajmeve, Genta Popa e mori dozën e parë të vaksinës anti-Covid nga studioja e lajmeve në Top Channel.
Ajo u shfaq mjaft e emocionuar teksa ka kujtuar edhe familjarë të saj që humbën betejën me Covid, ndërsa ka uruar që gjithçka të shkojë sa më mirë për të gjithë.. Ndërkohë, në studio ka qenë e pranishme edhe shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino. Edhe kjo e fundit është përlotur teksa ka kujtuar kolegët që humbën betejën në përballje me virusin.
Pjesë nga biseda në studio:
Genta Popa: Kujtoj dhe unë them në këtë moment se më vjen në mend familjari im i dashur Kujtim Prodani, i cili humbi jetën nga Covid-19….me siguri edhe ju keni ndonjë familjar që ka humbur betejën me Covid-19, kështu që le të kemi besim tek vaksina. Apo jo zonja Bino?
Silva Bino: Unë u emocionova shumë Genta!
Genta Popa: Le të përpiqemi të jemi sa më humanë sepse kjo është detyra jonë. Keni humbur dhe ju nga fusha e mjekësisë, keni humbur kolegët tuaj.
Silva Bino: Patëm shumë miq që humbën jetën dhe ky është një çast shumë i rëndësishëm….ju falenderoj.
Genta Popa: Shpresoj që gjithçka të shkojë sa më mirë për të gjithë.