Gianni de Biasi, ish-trajneri i Shqipërisë, ka reaguar në lidhje me heqjen e pasaportave diplomatike. Në një intervistë për shtypin e shkruar, trajneri italian e quajti absurd vendimin e qeverisë shqiptare për t’ua marrë pasaportat diplomatike 5 vite më herët se afati i skadencës. “Më duket absurde. Pasaporta ime diplomatike skadon në vitin 2026, pse duhet ta dorëzoj 5 vite më parë. Jo, nuk e di motivin e këtij vendimi.
Më duket e çuditshme. Absurde madje. Nuk shoh asnjë motiv për ta bërë këtë. Më habit kjo gjë. Së pari duhet të saktësoj se unë nuk kam marrë asnjë njoftim zyrtar. Thjesht jam informuar nga mediat. Nëse do të ndodhte vërtet kështu, pa dyshim që ndiej keqardhje dhe jam i befasuar me një vendim të tillë.
Dhënia e atij dokumenti (pasaporta diplomatike) është një shenjë mirënjohjeje apo vlerësim i shtetit kundrejt shtetasve të tij. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje, as nuk ia kam njollosur kurrë imazhin e Shqipërisë diku, përkundrazi mendoj se kam punuar mirë për sa kohë isha aty dhe kam folur vetëm mirë për Shqipërinë sa herë që më është dhënë rasti.
Kam vepruar kështu sepse këtë kam ndier, vetëm dashuri, respekt dhe mirënjohje nga Shqipëria dhe shqiptarët. Por, nëse tani më kërkojnë që ta kthej mbrapsht atë dokument, natyrisht që më lë një shije të hidhur. Nuk gjej motiv. Pse duhet ta kthej mbrapsht pasaportën diplomatike kur ajo skadon pas 5 vitesh? Më duket pa kuptim…
Do të kërkoj shpjegime patjetër. Është një gjë që më bezdis shumë, sepse e konsideroj si një mirënjohje atë veprim dhe tani befas ma kërkojnë mbrapsht. Unë nuk i kam bërë asnjë dëm dhe asnjë të keqe Shqipërisë pasi mbarova kontratën e punës aty. Atëherë i bie që duhet të kthej mbrapsht edhe titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” që më është dhënë nga Presidenti i Republikës asokohe? Më thoni pak, a ka kuptim kjo?”, përfundoi trajneri italian.