Kryeministri Edi Rama ka folur pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron ditën e sotme. Rama ka thënë se ka shkuar në Francë me një ftesë të presidentit francez dhe se kanë diskutuar rreth marrëdhënieve bilaterale dhe investimet francize në Shqipëri. Rama ka thënë se projekti më i rëndësishëm ishte përmbyllja e investimeve në qytetin e Durrësit për të siguruar ujë 24 orë pa ndërprerje.
“Ishte një ftesë e Presidentit me të cilin kishim disa kohë që nuk ishim takuar. Ai dëshironte të kalonte një drekë pune me mua, për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, ecurinë e programit të Agjencisë Franceze për Zhvillim, e cila është angazhuar për financimin e tre projekteve të rëndësishme, ku projekti më i rëndësishëm është investimi për finalizimin e gjithë punës që duhet bërë për të përmbyllur investimet tërësore të bëra në ujësjellësin e qytetit të Durrësit dhe për të garantuar më në fund, edhe për Durrësin, 24 orë ujë pa ndërprerje, një angazhim që ja kërkova dhe Presidenti e mori pas tërmetit”, ka thënë Rama.
Rama ka bërë me dije se një investim tjetër i rëndësishëm është edhe në systemin elektroenergjitik si dhe një program për vajzat dhe gratë. Po ashtu në takim është folur edhe për Planin Europian të Investimeve në Ballkan, ndër të tjera është folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Po ashtu, një financim tjetër i rëndësishëm për sistemin elektroenergjitik, si dhe një tjetër program për gratë dhe vajzat që është një program shumë interesant që do ta zbatojmë së bashku me Agjencinë Franceze të Zhvillimit. Njëkohësisht folëm edhe për investimet e Francës në energji në Shqipëri, ku kompania Voltalia po investon për Parkun më të madh Fotovoltaik të rajonit, faktikisht, në Karavasta dhe po ashtu edhe në 1 apo 2 projekte të tjera me rëndësi. Kemi folur për planin europian të investimeve për Ballkanin që është tanimë një plan i financuar dhe ku ne jemi aktivisht të angazhuar për të marrë financime për disa projekte të rëndësishme me impakt kombëtar dhe rajonal në transport, në infrastrukturë dhe digjitalizim. Natyrisht kemi qëndruar gjerë e gjatë në situatën në rajon, në ecurine e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit për procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, për procesin e implementimit të katër lirive të BE-së në kuadrin e Shengenit Rajonal dhe për tema të tjera, që kanë zenë dhe ato pjesën e tyre të bisedës së gjatë”, tha Rama.