Skip to content
Kryesore

500 mijë euro më shtrenjtë/ Tenderi i Sakos ngre dyshime për “5D” në Durrës

· 5 min lexim

Një tender publik ku oferta më e lirë ishte rreth 500 mijë euro më pak, por Bashkia e Durrësit zgjodhi ofertën e dytë më të shtrenjtë. Pas kompanisë fituese del familja e një drejtuesi të Partisë Socialiste në Durrës, ndërsa ortakja e saj lidhet me një biznes që ndryshoi emër pasi pronari u mor i pandehur nga SPAK. Të gjitha këto janë elementet e një investigimi të Kapitali.al, që ngre dyshime të forta për mënyrën se si ndahen tenderat me miliona euro në bashkinë e drejtuar nga Emirjana Sako.

Rasti i fundit është tenderi për rehabilitimin e rrugëve dytësore në zonën e Durrësit të Ri. Bashkia vendosi në dispozicion 137 milionë lekë, afro 1.5 milionë euro, ndërsa në garë u paraqitën pesë oferta.

Por rezultati ngre pikëpyetje të drejtpërdrejta.

Bashkia nuk zgjodhi ofertën më të lirë. Nuk zgjodhi as të dytën dhe as të tretën. Tri ofertat më të lira u skualifikuan dhe fituese u shpall oferta e parafundit, pra e dyta më e shtrenjtë në të gjithë garën.

Fitues është bashkimi i kompanive Ideal Construction and Projection (ICP) dhe Vianex, të cilat ofruan rreth 1.4 milionë euro. ICP ka 28.28% të sipërmarrjes së përbashkët, ndërsa Vianex 71.72%.

Diferenca me ofertën më të lirë është ajo që e bën procedurën edhe më të diskutueshme: rreth 500 mijë euro. Madje, dy prej ofertave të tjera ishin në nivelin e rreth 90 milionë lekëve.

Pra pyetja është e thjeshtë dhe kërkon një përgjigje po aq të qartë nga Bashkia e Durrësit: pse qytetarët duhet të paguajnë deri në 500 mijë euro më shumë, pasi tri ofertat më ekonomike u nxorën jashtë garës?

Në dokumente, përgjigjja është mospërmbushja e kritereve. Por investigimi i Kapitali.al ngre një problem shumë më të madh: kush janë kompanitë që përfitojnë?

Ideal Construction and Projection zotërohet nga Alban Dautaj, vëllai i Gerald Dautajt, drejtues i Partisë Socialiste në Durrës. Gerald Dautaj ka qenë për vite kryeinxhinier në Ujësjellësin e Durrësit dhe për një periudhë ka mbajtur edhe postin e drejtorit të UKD-së, pas largimit të Spartak Kovaçit.

Sipas Kapitali.al, kompania e familjes Dautaj ka përfituar tendera me vlerë miliona euro edhe gjatë periudhës kur Gerald Dautaj mbante funksione drejtuese në Ujësjellës.

Pra nuk kemi thjesht një ofertë të shtrenjtë. Kemi para publike, një kompani fituese dhe lidhje familjare që të çojnë drejtpërdrejt te një drejtues lokal i PS-së.

Edhe kompania tjetër fituese ka një histori që ngre pikëpyetje.

Vianex quhej më parë Roku Guest dhe zotërohej nga Rrok Gega. Sipas investigimit, pasi Gega u mor i pandehur nga SPAK për çështjen e urës në Tropojë, së bashku me kryebashkiaken socialiste të këtij qyteti, aksionet iu kaluan familjarëve dhe kompania ndryshoi emrin në Vianex.

Por ky nuk paraqitet si një rast i izoluar.

Një tjetër emër që shfaqet vazhdimisht në tenderat e Durrësit është Rajli Ndërtim. Sipas Kapitali.al, kompania punon pothuajse vetëm me tenderat e Bashkisë së Durrësit dhe ka si pronare dy gra të identifikuara si aktiviste të Partisë Socialiste në qytet.

Investigimi ngre dyshimin se pas pronareve formale mund të qëndrojnë persona me peshë shumë më të madhe, drejtues ose ish-drejtues të lartë të Bashkisë së Durrësit.

Rajli Ndërtim ka marrë një pjesë të madhe të tenderave për rindërtimin e pallateve pas tërmetit dhe është transformuar nga një kompani thuajse e panjohur në një biznes me xhiro shumë të lartë. Sipas Kapitali.al, burimi i parave të saj janë thuajse ekskluzivisht kontratat me Bashkinë e Durrësit, ndërsa pretendohet se edhe kur tenderët fitohen nga kompani të tjera, në disa raste ato kalojnë përmes Rajlit.

Kështu, panorama e denoncuar nuk është më ajo e një tenderi të vetëm të dyshimtë. Është ajo e një sistemi ku rrotullohen të njëjtat kompani, familjarë të funksionarëve, ish-drejtues institucionesh dhe persona të lidhur me pushtetin lokal dhe PS-në, ndërsa nga buxheti publik dalin miliona euro.

Ngjashmëria me dosjen famëkeqe “5D” të Bashkisë së Tiranës është pikërisht akuza që ngre Kapitali.al: zyrtarë apo njerëz të lidhur me pushtetin, kompani të afërta me ta dhe tendera publikë që përfundojnë vazhdimisht brenda të njëjtit rreth.

Vetëm në tenderin e fundit, Bashkia e Emirjana Sakos ka lënë jashtë tri oferta më të lira dhe ka zgjedhur të paguajë deri në 500 mijë euro më shumë për një bashkim kompanish ku njëra zotërohet nga vëllai i një drejtuesi të PS-së në Durrës.

Këto janë fakte që kërkojnë më shumë sesa një shpjegim teknik për “mosplotësim kriteresh”. Kërkojnë transparencë për çdo skualifikim, çdo lidhje dhe çdo euro publike të shpenzuar.

Sepse nëse në Tiranë skema “5D” çoi SPAK-un te kompanitë dhe zyrtarët e Bashkisë, pyetja që ngrihet sot është e pashmangshme: çfarë duhet të ndodhë më shumë në Durrës që prokurorët të hapin dosjet e tenderave të Bashkisë së Emirjana Sakos?