50 milionë euro pa garë financiare, ARRSH paracakton nga një fitues për çdo lot

Katër tenderët me vlerë totale rreth 47.5 milionë euro për mirëmbajtjen e akseve kryesore kombëtare janë vënë në qendër të debatit, pasi në secilin prej tyre ARRSH ka kualifikuar vetëm një kompani për fazën përfundimtare të ofertës financiare. Sipas një publikimi të Kapitali.al, kjo ka bërë që gara financiare të mos zhvillohet realisht, duke lënë secilën kompani të vetme përballë fondit limit.
Tenderët janë konceptuar me dy faza. Fillimisht zhvillohet faza e parakualifikimit, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar vlerëson nëse operatorët ekonomikë plotësojnë kriteret teknike dhe dokumentacionin e kërkuar. Vetëm kompanitë e kualifikuara kalojnë më pas në fazën e dytë, ku paraqesin ofertat financiare.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Kapitali.al, në të katër lotet ARRSH ka kaluar në fazën financiare vetëm nga një operator ekonomik.
Për kontratën D, që mbulon rreth 374 kilometra rrugë në jug të vendit, përfshirë segmentet Tepelenë, Gjirokastër, Orikum, Himarë, Borsh, Levan, Vlorë dhe lidhjet drejt Konispolit, me fond limit rreth 1.2 miliardë lekë ose 12.8 milionë euro, është kualifikuar vetëm kompania Salillari.
Në kontratën B, e cila përfshin rreth 294 kilometra rrugë në rajonin qendror dhe verilindor, mes tyre akset Tiranë, Rinas, Durrës, Thumanë, Milot, Bulqizë dhe Peshkopi, me fond limit 1.1 miliardë lekë ose 11.7 milionë euro, në fazën financiare ka kaluar vetëm kompania Bami shpk.
Kontrata A, me vlerë rreth 815 milionë lekë ose 8.7 milionë euro, mbulon 242 kilometra rrugë në veri të vendit, përfshirë segmentet Milot, Lezhë, Shkodër, Hani i Hotit, Vau i Dejës, Pukë, Kukës dhe Shëngjin. Për këtë lot është kualifikuar vetëm kompania Geci shpk.
Ndërkohë, kontrata C, me fond limit rreth 1.37 miliardë lekë, është kontrata me vlerën më të lartë dhe përfshin rreth 403 kilometra rrugë në lindje dhe juglindje të Shqipërisë, mes tyre akset Elbasan, Qafë Thanë, Korçë, Kapshticë, Librazhd, Qukës dhe Lushnjë, Berat. Sipas dokumenteve të publikuara, operatori i vetëm i kualifikuar për këtë lot është kompania 2T.
Kapitali.al pretendon se fakti që në secilin lot është kualifikuar vetëm një kompani eliminon garën financiare dhe krijon mundësinë që ofertat të afrohen maksimalisht me fondin limit, pa konkurrencë nga operatorë të tjerë.
Nëse konfirmohet se në fazën përfundimtare nuk do të ketë konkurrentë të tjerë për secilin lot, kontratat për mirëmbajtjen e akseve kombëtare do të përfundojnë praktikisht pa një garë reale financiare, çka pritet të nxisë debat mbi transparencën dhe konkurrencën në përdorimin e fondeve publike.