Skip to content
Kryesore

4 mijë euro cash, përpjekja për t’i ikur policisë dhe “misteri” i kutisë së kuqe/ Detaje nga arrestimi i Ergys Agasit

· 3 min lexim

Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Ergys Agasit, i shumëkërkuar nga SPAK në kuadër të dosjes së tenderëve të AKSHI-t. Nga ndjekja që nisi në Elbasan dhe përfundoi në Plepa të Durrësit, te përpjekja për t’i ikur policisë, 4 mijë eurot cash të gjetura në automjet dhe kutia e kuqe që Agasi mbante me vete, të tjera të dhëna kanë dalë në dritë nga operacioni.

Mjeti tip Audi, ku udhëtonin Agasi dhe Uljan Shpataraku, është pikasur fillimisht nga një patrullë policie në Elbasan. Në timon ishte Shpataraku, ish-punonjës policie, ndërsa ndjekja ka vijuar drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe më pas Durrësit, deri në zonën e Plepave.

Në momentin kur Agasi dhe Shpataraku kanë vënë re praninë e policisë në autostradë, kanë tentuar të largohen. Shpataraku ka tentuar t’i shpëtojë policisë përmes një parakalimi, por është bllokuar nga efektivët, të cilët e kanë neutralizuar dhe nuk e kanë lejuar të vijojë largimin. Më pas, të dy janë prangosur.

Gjatë kontrollit të automjetit, sipas burimeve, janë gjetur rreth 4 mijë euro cash. Agasi kishte gjithashtu me vete një çantë dhe një kuti të kuqe, të cilën e ka marrë me vete edhe kur ndodhej në ambientet e Drejtorisë së Burgjeve. Deri më tani nuk bëhet e ditur se çfarë përmbante kutia.

Pas arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut në Plepa, policia, me urdhër të SPAK-ut, ka ushtruar një kontroll blic në banesën e Shpatarakut te “Liqeni i Thatë” në Tiranë, me qëllim sekuestrimin e provave elektronike dhe dokumenteve që lidhen me dosjen e AKSHI-t.

Ergys Agasi kërkohej nga SPAK për çështjen që lidhet me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Ai akuzohet se, në bashkëpunim me Ermal Beqirajn, i arrestuar pak javë më parë në Francë, krijoi një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve publikë përmes korrupsionit, dhunës dhe pengmarrjes.

Në kuadër të së njëjtës dosje, ish-drejtoreshës së AKSHI-t i është lehtësuar masa e sigurisë në “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë, avokati i Ergys Agasit, Maksim Haxhia, ka folur për mediat para ambienteve të bllokut të sigurisë, ku mbahet klienti i tij. Haxhia tha se ky ishte takimi i parë në kuadër të përgatitjes për procesin e verifikimit të masës së sigurisë “arrest me burg”, ndërsa kërkoi që mbrojtja të njihet me dosjen.

“Ky është një takim i parë që përgatitemi për procesin lidhur me verifikimin e masës që është arrest me burg. Ne duam dosjen. Është e turpshme që edhe pas kaq shumë kohësh, edhe pse kemi bërë kërkesë, i jemi drejtuar ILD që na është mohuar një e drejtë, sepse pa dosje nuk mund ngremë pretendime.

Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkese juridike. Ai pretendon dhe është fakt që ai nuk ka prekur financat publike, sepse nuk ka qenë në funksionet e autoriteteve që menaxhojë financa publike. Nuk ka marrë pjesë as në tendera publike”, tha avokati.