4 ligjet që ka shkelur drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kreu i Policisë së Shteti Ardi Veliu aktualisht është personi më i komentuar në vend dhe rrjeti po zien pas deklaratës së tij ditën e sotme.

Gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, Veliu tregoi një video, ku Zaida Çobo, e ëma e 15-vjeçarit të dhunuar, mbante një pistoletë në dorë, lumë reagimesh erdhën nga radhët e opozitës por edhe nga gazetarë, politikanë e qytetarë.

Kjo pasi më vonë rezultoi se videoja e shfaqur nga ai nuk ishte asgjë më shumë se një pjesë filmi, ku Çobo ka qenë aktore në filmin “Dashuria s’mjafon”, që është shfaqur një vit më parë në kinematë shqiptare.

Pas zhurmës së shkaktuar, numri 1 i Policisë në një deklaratë publike sqaroi se fjala e tij nuk mund të nxirret nga konteksti siç po bëhet dhe se ka bërë një ilustrim të idesë se nuk mund të fajësohet vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate.

Po ashtu ai kërkoi ndjesë për keqkuptimin e krijuar, por la të kuptohej se nuk kishte ndërmend të dorëhiqej, ndonëse shumë persona e kanë kërkuar diçka të tillë.

Nga ana tjetër, më herët Çobo e ka përgënjeshtruar Veliun dhe paralajmëroi se do bëjë padi në prokurori ndaj tij për “prishje imazhi”.

Mbrëmjen e sotme Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të shkarkojë urgjentisht drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun, pasi ka shkelur 4 ligje të shtetit shqiptar.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mori përsipër të denigrojë publikisht, në shkelje të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, konventat ndërkombëtare dhe ligjet e vendit (Kodi Penal, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve), nënën që ka dalë publikisht në mbrojtje të fëmijës së saj. Veliu, në këtë komision duke kërkuar të justifikojë dhunën e policisë ndaj 15 vjeçarit ka publikuar një video të nënës së tij gjatë xhirimeve të një filmi, duke gjykuar se kjo është mënyra me të cilën fëmija edukohet dhe duke dashur të quajë të drejtë edhe dhunën e ushtruar nga punonjësit e policisë. Për më tepër, edhe pse thirrja e nënës së fëmijës ishte që Policia e Shtetit dhe institucionet shqiptare të vendosnin përpara ligjit çdo shkelës të tij, përgjigja e Drejtorit të Policisë së Shtetit, në emër të institucionit që ai përfaqëson, është e gjitha në kundërshtim me ligjet e Shqipërisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përgjatë këtij komisioni ka vijuar të sulmojë on-line nënën e djalit duke sugjeruar se fëmija ka një prejardhje nga një familje e paedukuar dhe si i tillë duhej të ishte edhe reagimi i punonjësve të policisë së shtetit.”, thuhet në reagimin e CRCA-së

CRCA, shprehet thellësisht e indinjuar pasi, sjellja e paligjshme e Veliu, përpara Komisionit Parlamentar është një goditje institucionale për Policinë e Shtetit dhe një ftesë e hapur për çdo punonjës policie për të shkelur ligjin me çdo mënyrë dhe çdo mjet.

Shpërndaje
Share.

Komento