Sërish shifra të larta të infektuarish në Kosovë. Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 3 persona, duke e çuar në 97 numrin e përgjithshëm të jetëve të humbura.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 205 raste të reja me koronavirus në vendin fqinj. Kështu numri total i të infektuarve ka shkuar në 4512.Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK sot ka testuar 388 mostra, prej të cilave 205 kanë rezultuar pozitive.Instituti po ashtu ka bërë të ditur se janë shëruar edhe 61 persona të prekur nga koronavirusi.
Ndërkohë që më parë u raportua një ngjarje e rëndë. Ku sipas mediave vendase një vajzë 21 vjeçe që ishte shtatzënë ka ndërruar jetë. 21-vjeçarja nga Podujeva me inicialet D.P. pak orë pasi ka kryer lindjen me prerje cezariane ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka konfirmuar infektologu Valbon Krasniqi. “Mund të konfirmoj se nga shefi i Njësisë Intensive të Mjekësisë Intensive mu konfirmua se ka ndërru jetë pacientja nga komuna e Podujevës e cila para disa orëve për shkak të gjendjes urgjente është dërguar në spitalin e Gjinekologjisë për tu kryer lindja me anë të prerjes cezariane dhe fatkeqësish pas kthimit në intensivë nuk i ka mbijetuar infeksionit me Covid-19”, tha Krasniqi.