Skip to content
Kryesore

29 vite pa Princeshë Dianën/ Nga përqafimi i pacientëve me HIV te ecja mes minave, pse bota ende nuk e ka harruar “Princeshën e zemrave”

· 3 min lexim

Kanë kaluar 29 vite nga 31 gushti 1997, dita kur lajmi për vdekjen e Princeshë Dianës tronditi botën. Ajo ishte vetëm 36 vjeçe kur humbi jetën pas aksidentit automobilistik në tunelin Pont de l’Alma në Paris, së bashku me Dodi Fayed dhe drejtuesin e automjetit, Henri Paul.

Por thuajse tri dekada më vonë, Diana vazhdon të kujtohet jo vetëm për mënyrën tragjike se si përfundoi jeta e saj, por mbi të gjitha për mënyrën se si zgjodhi ta jetonte atë.

E quajtur “Princesha e zemrave”, Diana bëri diçka që në atë kohë nuk ishte aspak e zakonshme për një anëtare të Familjes Mbretërore: iu afrua njerëzve pa distancë dhe pa frikë.

Në vitet kur HIV/AIDS shoqërohej me frikë, keqinformim dhe paragjykime të forta, Diana takonte dhe prekte pacientët pa doreza. Një nga momentet që mbeti në histori ishte përqafimi i një fëmije me AIDS në një spital në Harlem. Me një gjest të vetëm, ajo përcolli një mesazh shumë më të fuqishëm se çdo fjalim: këta njerëz nuk duheshin izoluar, por përqafuar.

Vetëm disa muaj para se të humbiste jetën, Diana shkoi në Angola, veshi jelekun dhe pajisjet mbrojtëse dhe eci në një zonë të mbushur me mina tokësore. Fotot e saj bënë xhiron e botës dhe sollën vëmendje të jashtëzakonshme mbi viktimat e minave kundër personelit. Pak javë përpara vdekjes, ajo vijoi të njëjtën kauzë edhe në Bosnje.

Edhe garderobën që e kishte kthyer në një ikonë mode, Diana vendosi ta përdorte për një qëllim tjetër. Në muajt e fundit të jetës, ajo nxori në ankand dhjetëra prej fustaneve të saj të famshme, duke mbledhur para për organizata që ndihmonin personat me AIDS dhe kancer.

Pastaj erdhi 31 gushti 1997.

Lajmi për vdekjen e saj shkaktoi një reagim emocional të rrallë në mbarë botën. Përpara Kensington Palace u krijua një det me lule, ndërsa më 6 shtator miliona njerëz ndoqën lamtumirën e fundit.

Një nga pamjet më të dhimbshme mbetet ajo e William, 15 vjeç, dhe Harry, vetëm 12 vjeç, duke ecur pas arkivolit të nënës së tyre. Mbi arkivol ndodhej edhe një letër e vogël me një fjalë të vetme: “Mummy”.

Në Westminster Abbey, Elton John interpretoi versionin e përshtatur të Candle in the Wind, ndërsa ceremonia u ndoq nga mbi dy miliardë njerëz në të gjithë botën, duke u kthyer në një nga ngjarjet televizive më të ndjekura të historisë.

Diana u varros larg kamerave, në një ishull të vogël në liqenin e pronës familjare Althorp, aty ku kishte kaluar një pjesë të rinisë së saj.

Sot, 29 vite më vonë, vëllai i saj Charles Spencer e ka kujtuar sërish. Në Althorp, flamuri është ulur në gjysmështizë, ndërsa ai ka shkruar vetëm pak fjalë:

“31 gusht. Dita ime më pak e preferuar.”

Diana jetoi vetëm 36 vite, por ndikimi i saj vazhdon edhe sot. Jo vetëm për fustanet, martesën mbretërore apo fotografitë ikonike, por për faktin se në një botë të ndërtuar mbi protokoll, ajo zgjodhi të afrohej, të prekte dhe të dëgjonte njerëzit që të tjerët shpesh i shmangnin.

Ndoshta pikërisht për këtë, 29 vite pas vdekjes së saj, bota vazhdon ta quajë “Princesha e zemrave”.

/Iconstyle