Skip to content
Kryesore

25 vatra zjarri në 24 orë në vend, katër ende aktive

· 2 min lexim

Situata e zjarreve vijon të mbajë të angazhuara qindra forca në terren. Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat katër mbeten ende aktive dhe një tjetër është nën monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 350 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 140 efektivë, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive ndodhen në Dajt dhe Priskë në Tiranë, në Lufaj të Mirditës dhe në Tërbun të Pukës. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Dajt, operacioni për izolimin dhe shuarjen e zjarrit vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 zjarrfikës dhe pesë forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura. Pavarësisht vijimit të ndërhyrjes, Ministria e Mbrojtjes thekson se nuk ka rrezik për banesat.

Një angazhim i gjerë po vijon edhe në Tërbun të Pukës, ku në terren ndodhen strukturat vendore, vullnetarët dhe Forcat e Armatosura. Operacioni po mbështetet edhe nga dy helikopterë, ndërsa edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Ndërkohë, situata është përmirësuar në disa prej vatrave që kanë qenë aktive gjatë ditëve të fundit. Zjarret në Gurë-Lurë, Bruç të Matit, Tharr të Mirditës dhe Selenicë janë shuar plotësisht.

Në Qafë Helmes vijon monitorimi dhe puna e forcave lokale për mbajtjen nën kontroll të situatës.

Strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten të angazhuara në terren, me fokus izolimin dhe shuarjen e plotë të katër vatrave që vijojnë të jenë aktive, si dhe mbrojtjen e zonave të banuara.