Baëshkia e Malësisë së Madhe ka mbyllur dyert deri ditën e hënë, për shkak se dy punonjës kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Sipas “BalkanWeb” pritet përgjigjja e testit edhe për 9 punonjës të tjerë, që kanë pas kontakte me të infektuarit.
Bashkia është mbyllur për të bërë dezinfektimin e plotë të gjithë godinës, ndërsa do të hapet sërish ditën e hënë të javës së ardhshme. Deri më tani, Malësia e Madhe kishte vetëm dy raste me COVID-19, një të infektuar dhe një viktimë, duke qenë ndër bashkitë më pak të prekura. Por, sot numri i të infektuarve ka shkuar në 4, ndërsa priten përgjigjet për 9 të tjerë.
Vlen të theksohet se prej kohësh institucionet janë kthyer në vatra infeksioni, pasi raste të shumta raportohen për ditë, siç është edhe Ministria e Infrastrukturës. Ajo që është më shqetësuese në gjithë këtë situatë është fakti se nuk është bërë një lajmërim për punonjësit e tjerë të ministrisë që i ndan vetëm një korridor nga kjo vatër infeksioni. Kjo ka rritur dyshimet për kontaktet që ata mund të kenë pasur me personat që aktualisht janë në karantinë.
Ditën e djeshme ISHP dha një lajm të mirë, pasi gjatë orëve të fundit nuk është shënuar asnjë viktimë nga COVID-19. Po kështu, janë konfirmuar 82 raste të reja. Aktualisht janë të shtruar 84 pacientë në spital, 11 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 6 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.