Skip to content
Kryesore

2.5 miliardë paund në vit/ Bandat shqiptare zgjerojnë “biznesin” e kanabisit në Britani

· 3 min lexim

Bandat kriminale shqiptare po zgjerojnë aktivitetin e paligjshëm të kanabisit në Britaninë e Madhe, duke ofruar tashmë një “shërbim të plotë” për ngritjen, funksionalizimin dhe më pas çmontimin e shtëpive të barit.

Media britanike GB News i ka kushtuar një artikull këtij fenomeni, duke raportuar se grupet kriminale reklamojnë shërbimet e tyre në rrjetet sociale dhe u drejtohen kryesisht shqiptarëve që jetojnë në Britani, një komunitet që numëron rreth 150 mijë persona.

Sipas raportimit, bandat paraqiten si kompani të ligjshme ndërtimi dhe mbërrijnë në banesa me furgona të pajisur me fidanë kanabisi, sisteme hidroponike, llamba ngrohëse dhe pajisje të tjera të nevojshme. Brenda pak orësh, ato mund të përshtatin dhoma të tëra për kultivimin e kanabisit.

Grupet ndërhyjnë edhe në instalimet elektrike për furnizimin e llambave dhe sistemeve të ujitjes, ndërsa izolojnë ambientet me materiale reflektuese për të ruajtur nxehtësinë dhe për ta bërë më të vështirë identifikimin e fermave nga helikopterët dhe dronët e policisë.

Në videot e siguruara nga GB News shfaqet edhe vendosja e hekurave në dyer dhe dritare, si për të mbrojtur fermat nga grabitjet e grupeve rivale, ashtu edhe për të vështirësuar ndërhyrjen e policisë gjatë kontrolleve apo bastisjeve.

Shërbimi nuk përfundon me korrjen dhe shitjen e kanabisit. Sipas medias britanike, pasi cikli i kultivimit mbyllet, bandat ofrojnë edhe çmontimin e fermës, boshatisjen e ambienteve dhe kthimin e banesës në gjendjen e mëparshme.

Një burim nga bota e krimit të organizuar i tha GB News: “Kjo është jashtëzakonisht e hapur. Bandat kriminale janë bërë shumë më të sofistikuara.”

Sipas tij, personat që duan të përfshihen në këtë aktivitet nuk kanë më nevojë të zotërojnë njohuri të specializuara.

“Mjafton t’u japësh bandave një pjesë të fitimeve dhe ato të sigurojnë gjithçka që të nevojitet, nga bimët dhe vazot deri te llambat e ngrohjes.”

GB News shkruan se bandat kriminale shqiptare tashmë kontrollojnë pjesën dërrmuese të aktivitetit kriminal të lidhur me kanabisin në Britani, pasi gjatë dekadës së fundit kanë marrë gradualisht kontrollin e këtij tregu nga grupet kriminale vietnameze.

Tregtia e paligjshme e kanabisit në Britani vlerësohet në më shumë se 2.5 miliardë paund në vit. Sipas raportimit, për shpërndarësit në nivel rruge, kanabisi mund të jetë edhe më fitimprurës sesa drogat e kategorisë A, përfshirë kokainën.

Ky treg i madh i paligjshëm konsiderohet gjithashtu një nga faktorët që ushqen dhunën mes bandave në rrugët britanike, ndërsa grupet kriminale përplasen për kontrollin dhe një pjesë sa më të madhe të fitimeve.