Helmimi prej ujrave të landfillit të Sharrës: Përse hesht Ministria e Turizmit dhe Mjedisit?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ndonëse projekti i ri i landfillit të Sharrës ku trajtohen mbetjet e kryeqytetit u propagandua si një projekt që nuk do të ketë asnjë impakt negativ në mjedis, faktet në terren tregojnë të kundërtën.

Pas disa ankesave të njëpasnjëshme në institucionet shtetërore që kanë rënë në vesh të shurdhër, banorët pranë landfillit u janë drejtuar mediave për të gjetur një zgjidhje për helmimin që po u vjen nga landfilli.

Në disa imazhe të publikuara nga portali “Jeta Osh Qef”, shihet sesi peshqit në lumin Erzen kanë ngordhur dhe arsyeja duket se lidhet pikërisht me impiantin e trajtimit të mbetjeve në Sharrë.

Siç ka bërë të ditur më parë gazetari Mariglen Kume, ujrat e ndotura nga trajtimi i plehrave rrjedhin në sipërfaqe të tokës dhe përfundojnë në lumin Erzen, duke i shkaktuar një dëm të pariparueshëm ekosistemit.

“Erzeni që dikur ka qenë me ujë të pijshëm, shiko si është sot. Ja bregu, kanë ngordhur të gjithë peshqit.”-shprehet një banor për “JOQ”, ndërkohë që në pamje shihet uji i ndotur i lumit që derdhet më pas në Gjirin e Lalëzit.

Pra qartazi, abuzimi në landfillin e Sharrës ku ujrat e ndotura ende nuk trajtohen siç duhet, jo vetëm po helmon tokën, gjallesat që ushqehen në të dhe banorët e zonës, por është një kërcënim i hapur dhe për turizmin në zonën e Gjirit të Lalëzit e që mund të shtrihet edhe më tej.

Dhe lidhur me këtë situatë, duket se nuk ka e as nuk do të ketë një reagim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që prej kohësh është vënë në dijeni të kësaj situate.

Në prill të 2018-ës, ministri Blendi Klosi u vendosi afat datën 1 qeshor të po të njëjtit vit bizneseve që të nisnin procesin e depurimit të ujrave të ndotura.

Por duket se përjashtim nga ky rregull bën landfilli famëkeq i Sharrës, që jo pak herë ka ngritur dyshime të mëdha për afera abuzive e marrëdhënie klienteliste.

E megjithatë, kompania “Integrated Energy B.V.” vijon e pashqetësuar helmimin e komunitetit që pritet ta zhvillojë edhe më tej, me ndërtimin e inceneratorit që do të realizojë djegien e mbetjeve të kryeqytetit. /gazetareforma.com

Shpërndaje
Share.

Komento