Ekstradohet nga Italia drejt Shqipërisë shtetasi Dritan Karaj, 39 vjeç, i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, i dënuar me 19 vjet burg, për vepra të rënda kundër personit.
Karaj vrau kunatin e tij në vitin 2004 në Fushë-Krujë dhe u arratis nga Shqipëria për 15 vite.Gjatë viteve të arratisë, Karaj dhe Durim Bami (personazhi i atentatit të pretenduar të mbetur në tentativë ndaj deputetit Tom Doshi), të dy bashkë, kanë marrë peng në vitin 2007 për disa ditë Edmond Tahiraj nga Vlora, për qëllim përfitimi të një shume prej 7 mijë eurosh.
Karaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Krimeve të Rënda, e ka dënuar me 19 vjet burg për veprën penale “Vrasja”, ”Prodhimin dhe mbajtja pa lejë e armëve luftarake dhe municioni” dhe ”Rrëmbim personi”.
Për këto vepra penale i pandehuri është hetuar e gjykuar në mungesë dhe është deklaruar fajtor duke u dënuar me vendim të formës së prerë.Në janar të një viti më parë Karaj u arrestua në Bergamo me qëllim ekstradimin në vendin tonë.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë operacionit e ekstradimit të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar drejt vendit tonë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën dhe Interpol Parisin u finalizuan dy operacione ekstradimi. Ekstradohet nga Italia një 39-vjeçar i dënuar me 19 vjet burg, për vepra të rënda kundër personit.
Gjithashtu ekstradohet nga Franca një 45-vjeçar i dënuar për mashtrim. Në vijim të bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe homologëve për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Italia shtetasi Dritan Karaj alias Ethem Ademi, 39 vjeç, lindur në Krujë.
Shtetasi Dritan Karaj ishte shpallur ne kërkim ndërkombëtar nga ZQK Tirana, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 19 vjet burg, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Rrembimi ose mbajtja peng e personit”.
Gjithashtu, po nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Franca drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Ilir Kello, 45 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale ”Mashtrimi”.