Skip to content
Kryesore

14 vite pa Festival, filma pa promovim e kinema/ Butka nxjerr zbuluar sistemin: Të mirëve u “hahet haka”, të dobëtit financohen

· 4 min lexim

Rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit pas 14 vitesh mungesë ka nxjerrë sërish në sipërfaqe problemet e kinematografisë shqiptare: nga fondet dhe mënyra e përzgjedhjes së projekteve, te mungesa e promovimit dhe e sallave të përshtatshme për publikun.

Drejtori artistik i Festivalit, Ilir Butka, thotë se një nga arsyet e ndërprerjes së gjatë lidhet me numrin e kufizuar të prodhimeve dhe vështirësitë financiare.

“Që nga koha e Kinostudios, u ndje nga fundi pamundësia për të krijuar filma të mjaftueshëm. Më vonë, ishte e pamundur të krijohej fluks i madh prodhimesh në vitet e para të Qendrës. Arsye tjetër mund të ketë qenë dhe mungesa e kohës për drejtuesit e Qendrës. Është një festival që kërkon një buxhet të caktuar që ti je i detyruar ta heqësh nga prodhimi”, u shpreh Butka.

Rreth 200 filma janë realizuar gjatë kësaj periudhe, ndërsa një tjetër çështje e ngritur lidhet me mënyrën se si përzgjidhen projektet e kineastëve nga Qendra e Kinematografisë. Butka pranon se sistemi nuk prodhon gjithmonë vendime të drejta dhe se ka raste kur projekte të mira mbeten pa u vlerësuar, ndërsa filma të dobët marrin vlerësim.

“Qendra ka një komision që vetë i kanë zgjedhur kineastët. Shpesh financohen, shpesh refuzohen. Ka të pakënaqur, ka edhe të kënaqur. A është gjithmonë i drejtë? Duhet të kemi parasysh që vendimi është subjektiv gjithsesi. A bëhen gabime? Po, edhe bëhen. Ka projekte të mira që kalojnë pa u vlerësuar, sikurse ka filma të këqij që vlerësohen. Ka raste kur gjykohen drejt, ka raste kur i hahet haka dikujt. E rëndësishme është të mos demoralizohen njerëzit! Sepse atëherë sistemi bie në kolaps. Unë them që të mirët janë ata që thyhen më lehtë, mediokrit nuk thyhen kurrë”, tha Butka.

Rikthimi i Festivalit është shoqëruar gjithashtu me debate për organizimin dhe kritika ndaj nivelit të disa prej filmave të rinj. Butka sqaron se filmat shqiptarë në Festival nuk i janë nënshtruar një përzgjedhjeje selektive dhe kërkon që gjykimi të mos përgjithësohet për të gjithë krijuesit.

“Jo çdo film i një autori që na pëlqen, është i mirë. Ne kemi këtu një prezencë filmash shqiptarë të paselektuar. Duke mos bërë seleksion, ka filma që nuk janë në nivelin më të mirë, por duhet të shohim me pozitivitet filmat që janë të mirë. Një film i dobët nuk paragjykon një krijues të mirë. Sepse është kollaj për të kritikuar një film, ne kur shohim një ndeshje futbolli, bërtasim dhe protestojmë kur dikush humbet një rast, por nuk jemi futbollist. E njëjta gjë ndodh me kinematografinë, mos të bëhemi të gjithë regjisorë e aktorë dhe të gjykojmë kaq ashpër”, shprehet drejtori artistik i Festivalit.

Një tjetër problem mbetet fakti se shumë pak prodhime shqiptare arrijnë realisht te publiku. Sipas Butkës, promovimi dhe transmetimi i filmave nuk kanë qenë në fokusin e institucioneve dhe sistemi vazhdon të ketë një hallkë të rëndësishme të munguar.

“Duhet menduar një buxhetim i caktuar vetëm për promovimin e filmave, sepse është një hallkë e munguar në sistemin tonë. Ne marrim përsipër promovimin, por nuk kemi menduar kurrë si do të realizohet qasja në festival. Për filmat hollivudianë që publiku i pëlqen, investohet pafund për promovim gjatë kohës që xhirohet filmi, që pastaj publiku të ketë interes të vijë në kinema të shohë filmin”, tha Ilir Butka.

Festivali ka rikthyer në vëmendje edhe një tjetër problem të vjetër: mungesën e kinemave publike. Salla kryesore ku po shfaqen filmat është ajo e Universitetit të Arteve, por kushtet e saj nuk janë të përshtatshme për funksionimin si kinema.

“Në Tiranë duhet të ketë patjetër një sallë të madhe në dispozicion të kinemasë. Për kinemanë ‘art house’ dhe ‘autorë’, sepse filmat komercialë e gjejnë hapësirën e tyre. Shpresoj dikur, dikush ta marrë këtë iniciativë dhe ta bëjë”, përfundoi Butka.

Krahas shfaqjes së filmave, edicioni i 14-të i Festivalit po shërben edhe si platformë diskutimi mes kineastëve dhe artdashësve në hapësirat e dedikuara në qendër të Tiranës. Pas 14 vitesh mungesë, rikthimi i tij vendos përballë publikut jo vetëm prodhimet e kinemasë shqiptare, por edhe problemet që vazhdojnë ta shoqërojnë atë.