Skip to content
Të Gjitha

105-vjetori i lindjes së Mbretëreshës Geraldinë/ Meta: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër

· 2 min lexim

Presidenti i vendit Ilir Meta, me anë të një postimi në “Facebook” ka kujtuar 105-vjetorin e lindjes të Mbretëreshës Geraldinë.

Meta citon shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, i cili thotë se “atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër e i vështirë”.

Kreu i shtetit shprehet se Mbretëresha Geraldinë kaloi një jetë në dedikim të Shqipërisë dhe begatisë, duke shtuar se vepra e saj vazhdon të jetë frymëzuese edhe sot.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

“Ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime…ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”.

Zgjodha këtë pasazh nga letra e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, dërguar Mbretëreshës Geraldinë në 12 mars 2002, për të përkujtuar sot 105-vjetorin e lindjes së saj.

Është një nga përkufizimet më të arrira për të gjithë trashëgiminë e vyer që na la “Trëndafili ynë i bardhë”.

Një jetë dedikuar Shqipërisë, begatisë, përparimit dhe europianizimit të plotë të saj, shembull i dashurisë e besnikërisë së përjetshme për Atdheun edhe kur ai i ktheu shpinën, vepra e Mbretëreshës Geraldinë vazhdon ende të frymëzojë e të na bëjë krenarë të gjithëve. 🇦🇱