Përgjatë natës flakët e zjarrit kanë përfshirë mëngjesin e sotëm katin e parë të një objekti pranë kryqëzimit të semaforëve në rrugën “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Lezhës.
Bëhet me dije se nga zjarri janë shkrumbuar plotësisht zyrat e noterit të njohur Vasil Martini.
Ndërkohë zjarrfikësit të cilët mbërritën menjeherë në vendin e ngjarjes, kanë arritur që të shuajnë flakët, që të mos përhapen tek bizneset e tjera që ndodhen aty pranë.
Theksojmë se në zyrat e noterisë janë djegur dhe dokumente me vlerë, ndërsa policia ka nisur menjeherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij zjarri që ra rreth orës 3 e 30 minuta të mëngjesit të së mërkurës.
Njoftimi i policisë se shtetit:
Lezhë / Informacion paraprak
Në orët e para të mëngjesit, në qytet Lezhë, në ambientet e brendshme të zyrës noteriale në pronësi të shtetasit V.M. 56 vjeç, banues në Lezhë, ka rënë zjarr.
Nga kqyrja paraprake, administrimi i të dhënave dhe pyetja e personave që kanë dijeni për gjithë dokumentacionin që ndodhej në zyrën noteriale në momentin e rënies së zjarrit, konfirmohet se ka dëme të konsiderueshme dokumentacioni, por janë dokumentacione që mund sigurohen përsëri.
Vazhdojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me ekspertë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për përcaktimim e shkakut të djegies dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.