Zhvendosja e terminalit tek kthesa e Kamzës, qytetarët dhe shoferët e autobusëve të revoltuar: Është bërë Kabul

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Të dielën filloi për herë të parë funksionimi i terminalit të ri të autobusëve të jugut dhe veriut, në zonën e kthesës së Kamzës.

Zhvendosja e terminalit nga zona e Doganës tek kthesa e Kamzës nga Bashkia e Tiranës, ka shkaktuar shumë pakënaqësi, tek udhëtarët por edhe punonjësit e linjave interurbane, shkruan “Reporter.al”.

“Deri tani e bënim dhe me këmbë rrugën deri tek terminali…ndërsa tani na është dyfishuar edhe koha edhe kosto…është tepër larg për t’u bërë në këmbë, kështu që na duhet të përllogarisim kohën që do mbetemi në trafik nëse marrim urbanin, si edhe lekët që na duhen çdo ditë,” tha një studente, e cila ishte ulur në autobusin e Fushë-Krujës dhe priste për t’u kthyer në shtëpi.

Terminali i ri do t’i shërbejë 43 linjave interurbane të zonës së jugut dhe 20 të linjave të zonës së veriut.

“Tani që kanë bashkuar Jugun me Veriun nuk ka më, është bërë Kabul,”  shprehet me ironi një nga shoferët e linjës së Laçit,.

“Tani që jemi larguar akoma më shumë nga qendra, të gjithë punën na e marrin furgonat e paligjshëm të Zogut të Zi,” tha ai.

“Neve mezi na mbushen furgonat me pasagjerë pasi askush nuk do të humbasi kohë të vijë deri këtu,” shtoi shoferi.

Për të arritur tek ky terminal, duhen afërsisht 25 minuta nga qendra e Tiranës.

Për linjën e Durrësit dhe jugut, kjo situatë nuk është aspak me leverdi.

“Ndërkohë që udhëtimi deri në Durrës zgjat 40 minuta, neve tani na duhen 30 minuta vetëm për të dalë nga trafiku ku na duhet të marrim kthesën për të dalë nga Kamza, pasi nuk kanë krijuar një dalje direkte për të hyrë në autostradë”, tha një shofer i linjës së Durrësit.

“Kemi shumë probleme, është shumë rrëmujë, të gjithë vetëm bërtasin”, tha ai. “Mbi të gjitha kemi probleme me kthesën, tek e cila vonohemi shumë dhe pasagjerët na kërkojnë llogari me orarin dhe pse bëhemi kaq vonë,” thotë një fatorino i linjës së Durrësit.

Përdoruesit kryesorë të terminaleve shprehen tepër të revoltuar me mungesën e tualeteve dhe të ujit

Duke i paraprirë te gjithë ankesave, kryebashkiaku i Tiranës ka kërkuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e qytetarëve, duke thënë se puna nuk do të ndalet këtu, por do të ketë një harmonizim me terminalin e trenit për Rinas apo Durrës.

Shpërndaje
Share.

Komento