Zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Gjykata Kushtetuese vendos datën kur do të shqyrtojë çështjen

Gjykata Kushtetuese ka vendosur datën kur do të shqyrtojë çështjen për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ishte kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ajo që ngriti padi për shkeljet e kryera në këto zgjedhje. Seanca do të jetë në 23 qershor në orën 10:00, ndërsa objekt do të ketë “konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve”. Gjithashtu do të verifikohet kushtetueshmëria e veprimeve të partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin në gjykatë për zgjedhjet lokale të vitit 2019.
“Subjekt i interesuar: Presidenti Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partia Bindja Demokratike.
Objekti: “1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. 2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.
Data e seancës: 23.06.2021, ora 10:00”, thuhet në njoftim e GJK.