Në zgjedhjet e 30 qershorit deri më tani 43 është numri i subjekteve zgjedhore që duan të jenë pjesë e garës elektorale, nga ku 35 janë regjistruar në KQZ, ndërsa tetë të tjera kanë aplikuar për t’u regjistruar. Kujtojmë që të martën skadon zyrtarisht afati që i lë në dispozicion kodi zgjedhor partive politike për t’u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Partia Socialiste dhe 18 parti të tjera aleate të socialisteve, si PSD-ja e Skënder Gjinushit apo PS e Moderuar e Gjergj Kojës kanë dorëzuar dokumentet në institucionin qendror të zgjedhjeve.
Ndërkohë nga kampi i djathtë numri i partive që janë regjistruar për garën vendore ka vajtur në pesë. Dikur aleatë të Bashës, Bashkimi Demokrat Shqiptar me kryetar Ylber Valteri, Partia Ora e Shqipërisë e drejtuar nga Zef Shtjefni, Bashkimi Liberal Demokrat e drejtuar nga Arian Starova, Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë e Arian Galdinit, si dhe Partia Kombëtare Konservatore e drejtuar nga Kujtim Gjuzi janë regjistruar për zgjedhjet vendore.
Pritet që të martën të regjistrohen partitë Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, Zgjidhja e Koço Kokëdhimës, PDS-ja e Paskal Milos dhe Ligj e Drejtësi e Spartak Ngjelës.