Kreu i PAA, Agron Duka ka deklaruar se ai do të kandidojë në Durrës duke pasur një vend fitues ndërsa partia e tij do të ketë kandidatë në të gjithë vendin.
Z. Duka thotë se ka rreth një muaj që ka nisur takimet elektorale në këtë qark dhe sipas tij vihet re një situatë e qetë në krahasim me vitin 2017, ku kishte persona të inkriminuar të përfshirë në fushatë.
“Ka një stepje dhe kjo na jep shpresë që të kemi të paktën një rezultat real dhe jo të stisur nga vjedhjet”, tha kreu i PAA-së në një intervistë pë Euronews
Duke bërë një parashikim se si do të jetë rezultati në Durrës, Agron Duka tha se pret që opozita të marrë 8 mandate ndërsa mazhoranca 6.
Për diskutimet mbi fletën e votimit, ai tha se opozita mbështet versionin e një flete votimi me emra dhe logon e secilës parti.
Kujtojmë se nesër më 24 shkurt është afati i fundit i partive politike për tu rregjistruar vetëm ose në koalicion në zgjedhjet e 25 Prillit.
Partia Socialiste e kryesuar nga kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të jetë e vetme në zgjedhje, duke mohuar kategorikisht të gjitha mundësitë për bashkëpunim.
Vëmendja më e madhe shkon në kampin opozitar. Pas dy vitesh që nuk janë më në Parlament, këto do të jenë zgjedhjet e rikthimit.
LSI mësohet se do të dalë me një listë të saj, por në ato qarqe ku nuk mund të prodhojë një mandat deputeti, do të mbështesë listën “Basha”.
Deri më tani ka një ngërç mes Partisë Republikane të ish-deputetit Fatmir Mediu dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha.