Këtë të enjte u zhvillua Samiti për bashkëpunimin e Europës Juglindore me përfaqësues të13 shteteve. E pranishme në samit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani foli për situatën në veri të Kosovës shtensionimin e situatës e zgjedhjet e parakohshme e të mundshme në katër komunat në veri të vendit.
Në intervistë për RTK-në, presidentja Osmani deklaroi se sa i përket situatës në veri të Republikës, është me rëndësi që Kosova ta gjejë zgjidhjen bashkë me aletatët e saj.
Duke rikujtuar se kjo krizë është shkaktuar nga Serbia, Osmani tha se Kosova është në të drejtën e saj, në kontekst të sundimit të ligjit e sovranitetit.
Duke folur për zgjedhjet e reja në komunat në veri, ajo tha se ligji parasheh disa situata për zgjedhjet e parakohshme, e që një prej tyre, sipas saj, është më e mira sepse siguron edhe pjesëmarrjen e serbëve që jetojnë në ato komuna.
“Kjo ka të bëjë me nënshkrimin e një peticioni nga 20 % e votuesve nga secila prej këtyre komunave. Mendoj se nëpërmjet kësaj, krijohet detyrim ligjor për institucionet, por edhe ne po tregojmë vullnet politik për një gjë të tillë”, tha presidentja Osmani.
Sipas saj, kjo hapë rrugën për pjesëmarrjen demokratike të qytetarëve serbë në zgjedhje dhe për zgjedhjen e kryetarëve të rinj.
“Këtë e shoh si çështjen më urgjente dhe njëkohësisht të vazhdojnë përpjekjet e Policisë së Kosovës për sundim të ligjit në veri e në veçanti për ndëshkimin e personave që morën pjesë në dhunë ndaj KFOR-it, policëve e gazetarëve”.
Duke folur për masat e mundshme ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, në rast të mos çtensionimit të situatës në veri, presidentja Osmani tha se është duke u punuar në evitimin e masave të tilla.
“Kontaktet tona janë të vazhdueshme e të përditshme me BE e SHBA dhe përderisa të gjithë, ne, BE e SHBA e kemi një synim strategjik të përbashkët, që është Kosova sovrane, e pavarur në kufijtë aktualë dhe e integruar në strukturat atlantike, asgjë nuk duhet të na pengojë që këto dallime të momentit t’i kalojmë sa më parë”.
Teksa foli për samitin në të cilin po merr pjesë e që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi, presidentja Osmani u shpreh se një iniciativë e tillë ekziston që nga viti 1996 dhe përfshinë 13 shtete të Evropës Juglindore.
“Qëllimi është të flasim për hapat që vendet tona të përafrohen me BE-në. Procesi i integrimit evropian është prej temave kryesore, pastaj tema e dytë ishte siguria, pasi ka kohë që e gjithë arkitektura e sigurisë së Evropës është nën sulm për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës”, tha ajo.
“Por edhe rajoni ynë preket nga ndikimi malinj rus përmes Serbisë dhe këto ishin disa nga temat që i kam shtruar unë dhe shumë folës”, tha Osmani, duke shtuar se edhe pjesë e diskutimeve ishte edhe zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal.
“Në emër të Republikës së Kosovës, përveç aspekteve pozitive të bashkëpunimit rajonal që na çon drejt integrimit evropian, nëpërmjet iniciativave si kjo, por edhe Procesi i Berlinit, natyrisht se kam folur edhe për sfidat e fundit të sigurisë që janë duke u shkaktuar nga Serbia e cila ka shkaktuar akt agresioni ndaj Kosovës,shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe po ashtu edhe shkelje të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake që e ka me NATO-n”.
Presidentja Osmani deklaroi se asnjë nga këto veprime nuk kontribuojnë në fqinjësi të mirë.
“Përkundrazi, rrezikojnë përpjekjet edhe të BE-së edhe aleatëve tanë në SHBA për paqe e stabilitet dhe anëtarësim në strukturat euro-atlantike”.