Zarfet me vota nga Serbia, rritet numri i pacientëve te Infektivi

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Numri i personave të shtruar në Klinikën Infektive të Qendrës Universitare, të cilët ranë në kontakt me zarfet e ardhura nga Serbia ka shkuar në 11.

Mjekët bëjnë me dije se gjendja e pacientëve është stabilizuar.

Mostrat e zarfeve do të hetohen nga ekspertë vendas e ndërkombëtarë, për të përcaktuar se për çfarë bëhet fjalë.

Drejtoresha e Klinikës Linda Ajazaj Berisha, tha se po priten rezultatet nga analiza e mostrave.

“Për momentin gjendja e pacientëve është stabile. Ne i kemi në klinikë 11 pacientë. Mbrëmë vonë është pranuar edhe një rast, nëntë femra dhe dy meshkuj. Janë marrë të gjitha mostrat dhe presimi rezultate. Asgjë nuk mund të themi diçka të detajuara pa pasur rezultate të analizave”, tha Ajazaj.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Luftiu tha për ‘Radio Evropa e Lirë’, se po priten rezultatet e analizave toksikologjike.

“Sapo e kemi pranuar informatën, prokurori i shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Ndërkaq për pjesën tjetër, për momentin nuk mund të japim informata të tjera. Sapo t’i marrim rezultatet e analizave [shëndetësore], atëherë besoj se Prokuroria do të jetë në gjendje që të deklarohet lidhur me ketë çështje”, tha Lutfiu.

Kujtojmë këtu, se të dielën 11 persona kërkuan ndihmë mjekësore, pasi teksa po verifikonin votat e ardhura nga Serbia, në duart dhe fytyrën e tyre u shfaqën shenja të një lloj alergjie.

Shpërndaje
Share.

Komento