Yuri Kim paralajmëron: Kam dëgjuar për një marrëveshje pas krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ditën e djeshme Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi 3 anëtarët e rinj të SPAK, ku pas intervistave dhe marrjes në pyetje, KLP bëri edhe renditjen sipas pikëve: Sotir Kllapi 174 pikë, Dritan Prençi 171 pikë, Vladimir Mara 168 pikë.

Së fundmi, tre anëtarët e rinj të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Sotir Kllapi, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, u betuan sot përpara presidentit Ilir Meta.

LEXO: U zgjodhën dje nga KLP, betohen para Presidentit 3 anëtarët e rinj të SPAK 

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka uruar 3 prokurorët e rinj të SPAK, por bashkë me urimin, ambasadorja Kim ka shpërndarë edhe një paralajmërim.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kim është shprehur se ka dëgjuar se në vend është bërë një marrëveshje për të penguar në Reformën në Drejtësi, duke shkruar se shpreson që fjalët të mos jenë të vërteta, pasi Reforma duhet të vazhdojë.

“Urime 3 prokurorëve për betimin e tyre sot para Presidentit. Ilir Meta për në Prokurorinë Speciale. Mezi presim edhe 3 të tjera për ta bërë SPAK të plotë. Progresi në reformën në drejtësi duhet të përshpejtohet hap pas hapi. Mezi presim që të kompletohet SPAK. Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”.

Vetë ambasadorja Yuri Kim disa ditë më parë zhvilloi një bisedë telefonikë me kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bundo, të cilës i kërkoi më shumë ‘ritëm’.

Kjo nuk është hera e parë që Kim lëshon një mesazh të fortë në emër të SHBA, por sërish ajo nuk ka përmendur me emra se cilët janë politikanët dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në ecurinë e Reformës.

Më 12 maj, në një intervistë televizive, ambasadorja amerikane tha se në Shqipëri shumë politikanë nuk e duan vijimin e Reformës.

Shpërndaje
Share.

Komento