Xhixho: “Albanian Files” tregon si grabitet prona publike, ndryshohen ligjet dhe pasurohen klientët e pushtetit

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me publikimin e dosjes “Albanian Files”, duke e cilësuar atë si një provë të mënyrës se si, sipas saj, është ndërtuar modeli i zhvillimit në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
Në një deklaratë për mediat, Xhixho u shpreh se libri “hedh dritë mbi mënyrën se si është konceptuar zhvillimi i Shqipërisë: jo në funksion të interesit publik, por në funksion të pazareve të pushtetit”.
“Së pari grabitet prona publike. Pastaj ndryshohen ligjet. Më pas prona u dorëzohet klientëve të pushtetit”, deklaroi ajo, duke shtuar se sot, sipas saj, nuk preken vetëm pronat publike, por edhe pronat private dhe zonat e mbrojtura.
Deputetja ngriti pikëpyetje edhe mbi financimin e projekteve të përfshira në “Albanian Files”, duke theksuar se 523 projektet e publikuara nuk janë “vizatime artistike”, por projekte që, sipas saj, kanë kushtuar miliona apo miliarda euro për t’u hartuar.
Xhixho tha se një nga elementët më shqetësues është fakti që shumë prej projekteve janë përgatitur dy ose tre vite përpara ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura.
“Askush nuk investon miliona euro për një projekt që e di se nuk mund të ndërtohet. Dikush u kishte garantuar se ligji do të ndryshohej. Dhe në këtë vend, vetëm Edi Rama ka fuqinë të garantojë se ligjet shkruhen sipas interesit të klientëve të tij”, u shpreh ajo.
Sipas saj, kjo përbën “thelbin e kapjes së shtetit”, ku ligjet, sipas pretendimeve të saj, hartohen për interesat e një grupi të vogël dhe jo për qytetarët.
Në vijim të deklaratës, Xhixho bëri publike një seri pyetjesh drejtuar kryeministrit Edi Rama, Kuvendit, institucioneve shtetërore dhe organeve të drejtësisë, duke kërkuar sqarime mbi mënyrën e përzgjedhjes së projekteve, ndryshimet ligjore, procedurat administrative, burimet e financimit, lejet e zhvillimit, si dhe hetimet e mundshme për konflikt interesi, pastrim parash dhe shkelje të ligjit.
Deputetja deklaroi se të gjitha këto pyetje do t’ua dërgojë edhe zyrtarisht institucioneve përgjegjëse.
“Kjo është një strukturë e tmerrshme kriminale që tregon si funksionon shteti dhe vërteton se ligjet me porosi i ka miratuar Kuvendi që u kthye në një noter të qeverisë. Është koha për llogaridhënie dhe jo më propagandë”, përfundoi Xhixho.