Prej kohësh kanë nisur protestat masive në Shqipëri kundër keqtrajtimit dhe vrasjes së qenve nga punëtorët e Bashkisë. Vetë Erjon Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, u justifikua me faktin se qentë në rrugë janë një rrezik për qytetarët shqiptarë. Gjithashtu, Veliaj deklaroi se po bashkëpunon me organizatën e njohur “Four Paws”.
Por organizata ka reaguar me anë të një e-maili, i cili është publikuar në faqen “Animal Rescue Albania”, ku shkruhet: “Dëshirojmë të bëjmë të ditur se FOUR PAWS (Katër Putrat) aktualisht nuk bashkëpunon me Bashkinë e Tiranës për çështjen e kafshëve endacake.
FOUR PAWS përkrah dhe mbron implementimin e programeve të menaxhimit human të kafshëve endacake, përfshirë sterilizimin masiv, adresimin e shkaqeve të braktisjes së kafshëve dhe inkurajimin e pronësisë së përgjegjshme të tyre, në mënyrë që të reduktohet numri i kafshëve endacake në komunitetin lokal. Kjo përqasje është shkencërisht e provuar si mënyra më efektive dhe më e njerëzishme e reduktimit të kafshëve endacake brenda komunitetit.
FOUR PAWS dënon fuqishëm vrasjen e maceve dhe qenve endacakë si mënyrë kontrollimi e popullatës jo vetëm për shkak të vuajtjeve që kjo iu shkakton kafshëve, por edhe sepse kjo është një mënyrë jo efektive, jo njerëzore dhe e kushtueshme për të mbajtur reduktimin e numrit të kafshëve endacake në periudha afatgjata”.