Vrasja e Martin Canit, Apeli rihap pjesërisht çështjen: Urdhërohet raport i ri psikologjik për Mario Pëlleshajn dhe Luis Meçen

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur të rihapë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor të çështjes që lidhet me vrasjen e Martin Canit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Trupa gjykuese ka urdhëruar hartimin e një raporti të ri psikologjik për autorin e dyshuar të vrasjes, Mario Pëlleshaj, si dhe për Luis Meçen, i cili mbeti i plagosur gjatë ngjarjes.
Për përgatitjen e raportit janë caktuar dy psikologe, të cilat kanë marrë detyrat përkatëse nga gjykata dhe do të zhvillojnë vlerësimin pasi të takojnë Mario Pëlleshajn dhe Luis Meçen. Seanca e radhës është caktuar më 1 korrik, ku pritet të shqyrtohet edhe raporti psikologjik.
Mario Pëlleshaj është dënuar me 16 vite burg për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Martin Canit. Ai është shpallur gjithashtu fajtor për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë, ndaj Luis Meçes.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku pas një konflikti mes të miturve, Martin Cani u godit për vdekje me thikë, ndërsa Luis Meçe mbeti i plagosur.