Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua sot seanca gjyqësore ndaj Leonard Dukës, i konsideruar si kreu i grupit kriminal të njohur si “Klani Duka”, i akuzuar nga SPAK për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019, në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, si dhe ndaj pesë të pandehurve të tjerë të kësaj dosjeje penale.
Në seancë u paraqit për të dëshmuar edhe babai i të pandehurit, Muhamet Duka, në zbatim të vendimit të mëparshëm të trupës gjykuese, pas kërkesës së mbrojtjes.
“Kam lidhje miqësore me dy nga të pandehurit, me disa nga të pandehurit e tjerë kam lidhje gjaku. Pranoj të dëshmoj para gjykatës”, deklaroi ai në fillim të dëshmisë.
Pyetjet e avokatëve u përqendruan në marrëdhëniet e tij me viktimën Malko dhe të pandehurit e çështjes. Ai mohoi çdo konflikt të drejtpërdrejtë me ish-efektivin:
“Nuk kam pasur konflikt personal me Santiago Malkon. Leonard dhe Erlis Duka nuk kanë pasur konflikt me Santiago Malkon. Ervis Martinajn nuk e njoh. Me këtë shtetas djemtë e mi në dijeninë time s’kanë pasur asnjë konflikt.”
Prokurori i çështjes, Behar Dibra, e pyeti në lidhje me njohjet me të pandehurit dhe marrëdhëniet me ta. Muhamet Duka u përgjigj:
“Aleksandër Maxhaku është i njohur për mua, është nipi im nga motra. Shkurt e thërrasin ‘Leks’, ‘Aleks’, varet. Kam 6 vjet pa e takuar, shumë ka. Nuk kam mundur ta takoj, nuk di asgjë ku ndodhet. Dritan Agaj është i njohur për mua. Njeri i njohur për ne. Një mbesa jonë e ka për burrë atë. E kemi tonin deri diku. Dritanin e kam parë me djemtë e mi, i shihja si çuna. Oltion Logën e njoh, e kam parë si fytyrë. E njoh, e kam parë në lagje. Oltionit i thërrisnim edhe ‘Olt’. Nuk e di me cilin nga djemtë shoqërohej. Fatmir (Hysenin) Doçajn nuk e njihja, e kam dëgjuar në televizor më mbrapa. Ilir Selmanin e kam dëgjuar, nuk e njoh. Blendi Tetën e kam dëgjuar në media, nuk e njoh. Nuk e di kush është. Nuk më ka lidhur puna me i parë.”
Më tej, ai sqaroi: “Unë merresha me tregëti, tani jo se jam në pension. Kam pasur lokal timin. Lokali im nuk ka pasur emër. Me menaxhimin merresha unë dhe nusja. Djemtë merreshin me punët e veta, me biznesin e vet. Merreshin me lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonin. Nuk përzihesha, ata ishin të rritur. Unë jetoj me bashkëshorten. Leonardi ka pas jetuar me vëllanë, të ndarë nga ne. Jetonin me qira. Unë rrija në ‘Fresk’, djemtë nuk e di ku rrinin. As nuk i kam pyetur ndonjëherë, nuk shkoja te banesa e tyre. Ata vinin te shtëpia ime. Ata i kam ndihmuar unë dikur, kur u rritën kishin jetën e vet.”
Muhamet Duka mohoi gjithashtu të ketë pasur ndonjë përplasje, konflikt apo ndërhyrje të mundshme:
“S’më ka ndaluar asnjëherë në asnjë mënyrë dikush në rrugë. S’di të jenë plagosur a konfliktuar djemtë e mi. Këto dy djem kam. S’jam lënduar kurrë nga dikush, as me fjalë as me veprime. S’ka dalë njeri të më thotë kurrë një gjysmë llafi. S’jam goditur kurrë nga dikush, s’kam ndodhur kurrë në ndonjë përplasje. S’di pajtim mes djemve të mi dhe Mumajesi, absolutisht nuk di gjë. Nuk e njoh Gëzim Mumajesin. Rivelino Mumajesin e kam parë si çun lagjeje. Me djalin rrija rrallë, shumë-shumë rrallë. Nuk më është kërkuar kurrë të ndërhyja në diçka. Ervis Martinaj s’e kam dëgjuar, as s’e njoh as s’e kam parë, as se di. S’e kam dëgjuar ndonjëherë. Santiago Malkon e kam dëgjuar vetëm më media.”
Pas dëshmisë, trupa gjyqësore vendosi të shtyjë seancën për datën 9 korrik, ora 10:00, ku pritet që SPAK të paraqesë konkluzionet përfundimtare dhe pretencën ndaj të pandehurve.
Të akuzuar në këtë proces janë:
• Leonard Duka
• Erlis Duka (vëllai i Leonardit)
• Oltion Loga
• Aleksandër Maxhaku
• Fatmir Hyseni
• Dritan Agaj
Sipas SPAK, hetimet e bazuara mbi dekriptimet e bisedave në platformën e komunikimit të koduar “Sky ECC” kanë zbuluar komunikimet ndërmjet Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, ku dyshohet se shkaku i përplasjes mes tyre lidhet me një incident të mëparshëm ku ish-polici Malko thuhet se kishte dhunuar babanë e vëllezërve Duka.
Pikërisht ky incident dyshohet se çoi në armiqësi të hapur dhe përplasje mes dy grupeve, me oferta për pagesa të mëdha për atentatin, sipas të dhënave të dekriptuara.
Megjithatë, në dëshminë e sotme Muhamet Duka e mohoi të ketë njohur Ervis Martinajn apo të ketë pasur ndonjë përplasje me Santiago Malkon, që sipas akuzës mund të ketë qenë shkaku i ngjarjes.
Kujtojmë se në seancën e 24 qershorit pati tensione në sallë, ku nëna e viktimës, Bukuri Malko, kërcënoi Leonard Dukën, çka çoi në përjashtimin e saj nga trupa gjykuese.
Nga ana tjetër, i pandehuri ka vijuar të mohojë përfshirjen në atentat dhe ka hedhur poshtë çdo komunikim me Ervis Martinajn përmes aplikacionit “Sky ECC”.