Skip to content
Të Gjitha

Vrasja e gjeneralit iranian, NATO zhvillon takim me të gjithë anëtarët e saj. Zbardhen qëndrimet që u mbajtën mbi konfliktin SHBA-Iran

· 2 min lexim

NATO ka organizuar një takim të pazakontë pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleiman.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg, tha se të gjitha vendet anëtare kanë përkrahur SHBA-në.

Megjithatë, Stoltenberg bëri thirrje për ulje të tensioneve, duke u bërë jehonë deklaratave të disa udhëheqësve evropianë.

Ne jemi të bashkuar në dënimin që i bëjmë mbështetjes së Iranit për një shumëllojshmëri grupesh terroriste. Në takimin e sotëm, aleatët bënë thirrje për përmbajtje dhe çtensionim. Një konflikt i ri nuk do të ishte në interes të askujt. Prandaj Irani duhet të përmbahet nga dhuna dhe provokimet e mëtejshme”, tha ai.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuter, takimi zgjati dy orë dhe kaloi pa asnjë problem.

Departamentit i Shtetit dhe i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkjuara  informuan me videokonferencë mbi operacionin me dron.

Asnjë nga pjesëmarrësit në këtë takim nuk kundërshtoi sulmin ndaj Soleiman.

Takimi u përqendrua kryesisht te vendimi i NATO-s për të pezulluar misionin e saj të trajnimit në Irak, pas një rezolute të parlamentit irakian, që bënte thirrje për largimin e trupave të huaja.

Misioni i NATO-s për Irakun, i përbërë nga disa qindra trajnues, këshilltarë dhe staf mbështetës si nga vende anëtare ashtu edhe jo-anëtare, partnere të aleancës, përfshin personel ushtarak dhe civil.

Konfrontimi në distancë mes SHBA dhe Iranit vazhdon.

Kujtojmë se më herët ditën e sotme, një gjeneral i lartë iranian tha se vdekja e Donald Trump nuk do të ishte e mjaftueshme për kompensimin e vdekjes së Qassem Soleimani, duke sugjeruar se përgjigja e Iranit nuk do të ndalet me një sulm të vetëm.