Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia, ngjalli revoltë dhe reagim të fortë tek qytetarët dhe të rinjtë. Ditën e djeshme u organizuan protesta në disa qytete të Shqipërisë, ku më të dhunshmet ishin në Tiranë.
Ndërkohë që qytetarët nuk e kanë lënë me aq. Disa njoftime në rrjetet sociale, kanë bërë thirrje që qytetarët të mblidhen sërish në tubime për të kërkuar drejtësi për të riun e vrarë nga policia.
Në një njoftim në rrjetet sociale, bëhet me dije se protesta do të mbahet rreth orës 16:00, para ambienteve të Ministrisë së Brendshme nën moton ‘Pa drejtësi nuk ka qetësi’.
Kujtojmë që pasditen e djeshme u zhvillua një protestë para ministrisë së Brendshme, ku qytetarët protestuan për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra në orët e para të mëngjesit të së hënës nga një efektiv policie.
Me pankarta në duar, qytetarët kanë bërë thirrje për drejtësi, ndërsa nuk kanë munguar as sharjet në drejtim të qeverisë, ndërkohë që ka patur edhe tentative për të goditur me gurë xhamat e ministrisë.
“Drejtësi për Klodianin”, “Brezi i demokracisë me plumb pas koke”, “Unë jam Klodiani” dhe “Poshtë komunizmi”,ishin disa nga thirrjet e protestuesve./Gazetareforma.com/