Vjosa Osmani- partisë së saj: “S’mund të fshiheni më prapa meje, matuni para qytetarëve”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vijuar kundërshtimet ndaj partisë së saj, duke thënë se nuk do të hynte në listën garuese me LDK-në, nëse kjo parti do të kërkonte të bënte koalicion me partitë e PAN-it.

E ftuar në KTV Osmani deklaroi se nuk dëshiron të bashkëpunojë me parti që kanë zhytur Kosovën.

“Nëse dëshironi të kërkoni besimin për të hyrë në koalicion me parti që e kanë zhvatur Kosovën, unë nuk i hyj asaj liste. Por ju dilni dhe matuni para qytetarëve sepse s’mund të fshiheni më prapa meje”, theksoi Osmani në KTV.

Edhe një herë kryeparlamentarja u ndalë te vendimi i LDK për të shkarkuar Albin Kurtin me anë të mocionit të mosbesimit, duke u shprehur se ngutja e partisë së saj për të proceduar nuk mund të arsyetohet me dialogun si argument, teksa shtoi se tarifa tashmë nuk ekziston, por ka trajtim të barabartë në aspektin tregtar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kur ne dhe VV ishim bashkë në opozitë dhe kur i dërgonim bashkë letrat, kishin më shumë efekt. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Francën dhe Gjermaninë. U bë thirrja nga shtetet e BE-së që të mbahet qeveria funksionale. Por, çka ndodhi më vonë, ishte një keqpërdorim i plotë i një deklarate të SHBA-së, e cila thjesht e përshëndeste vendimin tonë si Kuvend për thirrje të seancës. E përkthyen si përkrahje për një votë pro mocionit. SHBA-ja kurrë s’ka kërkuar të votohet pro mocionit, kurse shtetet e BE-së e kanë bërë të qartë që të mos votohet mocioni ose të shtyhet. Pse nuk ishte e mjaftueshme një thirrje e tillë, unë s’e kuptoj. Sepse në kohën kur Kosova ballafaqohej me rrezikun e ndryshimit të kufijve, dhe humbjes më të madhe që LDK-ja do të pësonte, jo në vota, por në aspektin e projektit të saj ‘Kosova shtet i pavarur sovran dhe në kufijtë aktualë’, kush ishte personi që mbronte kufijtë tanë? Ishte kanelarja Merkel! Pse tani zëri i saj u bë tejet i parëndësishëm?”, tha Osmani.

Sakaq, Osmani bëri një deklaratë të papritur sepse u shpreh se ka shumë gjëra për të cilat në këtë moment, për shkak të konfidencialitetit s’mund t’i thotë, por tha se “do të dalin në shesh dezinformatat që i janë dërguar SHBA-së nga një rrjet i organizuar nëpër parti politike”.

“Do të dalin edhe qëllimet e vërteta të njerëzve prapa krejt kësaj situate. Do të dalë edhe e vërteta që këtë qëndrim që e mbaj, s’e mbaj për vota, por unë, mes reputacionit dhe mes pozitës partiake dhe ndërgjegjes sime, gjithnjë e kam zgjedhur ndërgjegjen. Shpresoj që këtë ta kuptojë secili. Fakti se është injoruar demarshi i Francës dhe i Gjermanisë ndaj LDK-së, nuk është pritur mirë nga këto dy vende. Natyrisht se ata punojnë me secilën qeveri”, tha Osmani.

 

Shpërndaje
Share.

Komento