Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh ditën e sotme ku doli në një konferncë për shtyp për të dhënë informacione mbi situatën epidemiologjike në vendin tonë sa i përket dy javëve të fundit. Gjatë mbledhjes së sotme është njoftuar se nuk do të ketë ndryshim masash për dy javët në vazhdim. Pra, ora policore do të vazhdojë të nisë nga ora 23:00 deri në orën 06:00.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare në QSUT, Skënder Brataj, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, shpjegoi arsyet e këtij vendimi. Sipas mjekut, krahasimi është bërë me atë të vitit të kaluar dhe incidencën aktuale. Pra sipas tij, prej 10 ditësh situata është e stabilizuar, e kësisoj u gjykua se masat të mos ndryshonin për të paktën 2 javë.
Mjeku foli dhe për imunitetin e popullsisë, dhe sipas tij, ajo në të gjithë vendin është arritur në masën e 65%. Brataj u ndal edhe te procesi mësimor. Shkollat fillore dhe të mesme do të vijojnë mësimin në godinat fizike, ndërsa duhet të respektojnë të gjitha protokollet e vendosura. Nga krahu tjetër, sipas mjekut, për universitetet po diskutohet që mësimet të vijojnë ‘online’, megjithatë gjithçka mund të ndryshojë në bazë të ecurisë epidemiologjike në vend.
Intervista e plotë:
Përse nuk ndryshuan masat?
Skënder Brataj: U panë indikatorët, të dhënat e spitalit, të urgjencës dhe duke krahasuar periudhën e vitit të kaluar me këtë moment, numri është shumë më i ulët dhe numri i jetëve është tre herë më i ulët se sa ai i vitit të kaluar. Duke parë që virusi ka një rënie të lehtë do të thotë që s’ka nevojë për shtrëngim masash. U preferua që masat të mos ndryshojnë, sepse do të thotë që s’ka rritje dhe ka 10 ditë stabilitet.
Akademia e shkencave thotë se është arritur në 73.3% imuniteti i tufës?
Skënder Brataj: Çdo punë shkencore ka rëndësinë e vet. Ndoshta mesazhi u përcoll i gabuar. Nuk mund ta themi se të dhënat ishin të gjitha të sakta, sepse mbetet një studim i pjesshëm. Kemi përjashtuar moshat e larta. Jemi përqendruar në zonat urbane, por në zonat rurale sa është. Ajo që pashë (në studim) ishte interesante sepse tregon praninë e anti-trupave. Ata (Akademia e Shkencave) kanë bërë studimin me detaje dhe mund të dali në vende të caktuara që s’mund të jenë.
Procesi i vaksinimit a ka këtë qëllim?
Skënder Brataj: ISHP-ja po bën një studim me personelin mjekësor, për të parë që edhe ato janë të frenuar për faktin e kësaj përqindjeje. Vaksinimi dhe imuniteti natyral mund të jetë 60%, sepse kuptohet që kemi gati 1000 të infektuar në ditë. Mund të themi që këto grupmosha në këtë zonë të kryeqytetit, ka këtë imunitet. Jemi në total 65% të imunitetit. Kjo tregon dhe shtatorin e vjetshëm dhe këtë të tanishmin. Kjo tregon që imunizimi natyral dhe artificial, e kanë kryer punën e tyre.
Edhe pse je i vaksinuar me të dyja dozat, njerëzit e kanë humbur jetën. Pse ndodh kjo?
Skënder Brataj: Mesazhi që ka kaluar ka kaluar gabim. Asnjëherë dhe asnjë vaksinë nuk garanton 100% të imunitetit. Në të infektuarit që rezultojnë sot, nga 1000 të infektuar vetëm 100 janë të vaksinuar. Humbja e jetës është 0.006 te të vaksinuarit me 1 ose 2 doza. Pastaj ata që humbin jetën varen nga imuniteti ynë, sëmundja bashkëshoqëruese dhe komplikacionet e tjera.
Pra mund të ndodhë që një person i vaksinuar me 2 dyja dozat të mos krijojë asnjë antiturp.
Skënder Brataj: Ka sëmundje siç janë ato tumorale, na kërkohet dhe të bëjmë kimio, ajo e dëmton shumë imunitetin. Në këto raste edhe me kalimin e moshës, sepse sa më të moshuar jemi aq me vështirësi përgjigjet sistemi imunitar.
Si do të funksionojnë shkollat?
Skënder Brataj: Plani i zhvillimit të mësimit është bërë nga një broshurë nga ISHP. Ne japim këshillimin si duhet të jetë distanca, si përdoret maska dhe kapacitetet e shkollave i dinë vetë. Ajo që ishte e rëndësishme, është se iu dha një kohë personelit mjekësor, mësuesve që duhet të gjejnë mënyrën që të mos jenë transportues te fëmijët apo studentët, të vaksinohen. Kjo kohë u shtye deri në nisjen e shkollave. Online po diskutohet universiteti dhe ajo po shihet se si do të jetë ecuria epidemiologjike.
Skënder Brataj: Nga viti i kaluar këtë vit kemi ecur shumë mirë. Shëndeti i qytetarëve është më i mirë. Infeksioni është më i madh, por humbjet e jetëve janë më të pakta. Fëmijët kanë një incidencë më të madh infeksioni. A është e barabartë mënyra e transmetimit.
A keni diskutuar për vaksinimin e fëmijëve?
Skënder Brataj: Sigurisht që diskutohet dhe sigurisht që situata epidemiologjike bëhet për të gjitha fashat. Deri më tani nga të dhënat që kemi, është se nuk ka një ndryshim të madh te fëmijët e vaksinuar dhe te ato të pavaksinuar. Ne shikojmë që nëse ne nuk kemi vaksinuar ende fashat mbi 18, është e kotë të diskutojmë për fëmijët. Vetë fëmijët e atyre moshave janë pjesë e subjekteve të detyrueshme dhe kanë imunitet më të zhvilluar. Duke parë që numri i të shtruarve në spital i fëmijëve është 11, s’ka fatalitete, gjykojmë që nuk është momenti për të diskutuar për fëmijët.
Po për dozën e tretë ka ardhur momenti?
Skënder Brataj: Ende. Për dy arsye, sepse s’janë vaksinuar të gjithë me të dyja dozat dhe dy sepse në janar ka nisur procesi i vaksinimit. Duhet të kalojnë 8 muaj pas kryerjes së vaksinës për të diskutuar këtë hap dhe ne ende nuk e kemi arritur këtë fazë.