Me mbërritjen e koronavirusit në Shqipëri kreu i qeverisë, Edi Rama, shpesh herë ka postuar pamje nga vendet më të goditura nga virusi, në mënyrë që të sensibilizojë qytetarët shqiptarë që t’u binden masave të sigurisë të marra nga kabineti i tij.
Së fundmi, Rama ka shpërndarë pamje nga SHBA, ku duken viktimat e koronavirusit që ngarkohen me vinç në një kamion frigorifer dhe sipas kronikës së medias së huaj, vendosja e kufomave në kamion ka ardhur si pasojë e shtimit të numrit të viktimave në morg, shifër e cila ka kaluar 1 mijë të vdekur.
Këtë video kryeministri e ka shoqëruar me mbishkrimin: Pa koment!
“Ndërsa rritet numri i viktimave në qytetin e Nju Jorkut për shkak të shpërthimit të COVID-19, disa spitale kanë marrë masa të dëshpëruara për të përballuar dallgën e egër. Trupat e viktimave janë parë duke u ngarkuar në një kamion-frigorifer. Numri i të vdekurve tani i ka kaluar 1000 persona. Arsyeja e përdorimit të këtyre kamionëve ishte pamundësia e spitaleve për të mbajtur numrin e viktimave në morg,”– thuhet në kronikë.
Deri tani SHBA renditet e para me numrin më të lartë të të prekurve në botë, 217,661 persona të infektuar, teksa janë shënuar 5,153 vdekje.