Skip to content
Aktualitet

Videot në “Tik-Tok”, KLGJ zbardh vendimin e pezullimit të Enkelejda Kapedanit

· 2 min lexim

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka zbardhur vendimin e pezullimit nga detyra të gjyqtares në detyrë të Elbasanit, Enkelejda Kapedani. KLGJ i lë disa detyra Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Së pari, ILD duhet të caktojë një ekspert IT dhe të përcaktojë se kush i publikoi videot e Kapedanit në rrjetin “Tik Tok”.

Më tej, KLGJ i kërkon ILD-së që të verifikojë sa persona kanë pasur akses për t’i parë videot e gjyqtares, e cila shfaqej duke bërë sfilatë në ambientet e Gjykatës së Elbasanit, apo duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor në timon.

Por, KLGJ i cakton ILD-së edhe dokumentimin e teksteve të këngëve, që shoqërojnë në sfond imazhin e magjistrates, në videon e publikuara në rrjetin e saj të “Tik Tok”, që ka qenë dhe kërkesa më e çuditshme.

Më 7 qershor, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit vendosi që të pezullojë nga detyra kryegjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedani, pas skandalit me videot në rrjetin social TikTok. Ishte Inspektorati i Lartë i Drejtësisë që kërkoi nga KLGJ pezullimin dhe shkarkimin e gjyqtares Kapedani. Kreu i ILD-së, Artur Metani, tha gjatë seancës së sotme gjyqësore se ekzistojnë kushtet që gjyqtarja të pezullohet.

Vetë Kapedani e ka njoftuar dorëheqjen e saj nga posti që mbante në Gjykatën e Elbasanit që më datë 7 qershor, me argumentin që të mos pengojë hetimin e  Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.