Vetingu shkarkon gjyqtarin, GJKKO mbetet me 8 anëtarë dhe del jashtë funksionit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjyqtari i GJKKO, Bib Ndreca u shkarkua të hënën nga detyra me vendim të Komisionit të Vetingut. Kështu, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit e Korrupsionit rrezikon të dalë jashtë funksionit, sepse mbetet me 8 anëtarë.

Ndreca iu nënshtrua vetingut dhe për afro një vit vendimi ndaj tij u shty për t’u shkarkuar mëngjesin e kësaj të hëne.

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit e Korrupsionit përbëhet nga 16 anëtarë, ndërsa sot ajo ka mbetur me tetë anëtarë duke rrezikuar krijimin e tre kolegjeve, pasi çdo trupë gjyqësore përbëhet me tre gjyqtarë në kolegj.

Me tetë gjyqtarë plotësohen vetëm dy kolegje dhe një mbetet vetëm me dy gjyqtarë. Dikur ish-Krimet e Rënda të krijuara në 2004, një gjykatë karriere e suksesi, sot rezulton se për pesë vakanca të shpallur ka vetëm 3 kandidatë.

Shkak që nuk arrijnë të plotësohen vendet, është kushti ligjor që kërkon kalimin e vetingut në të dyja shkallët për gjyqtarët. Mes gjyqtarëve që kanë kërkuar t’i bashkohen Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit e korrupsionit janë Erion Bani nga Gjykata e Tiranës, Erjon Çela nga gjykata e Tropojës dhe një gjyqtare.

Asnjë prej tyre nuk e ka kaluar vetingun në të dyja shkallët, prandaj Këshilli i Lartë Gjyqësor është në pritje të certifikimit si nga KPK e KPA për t’i emëruar.

Në këtë situatë kur vetingu shkarkon gjyqtarët dhe procesi i konfirmimit mbetet i ngadaltë kjo gjykatë rrezikon të mbyllet duke cenuar besimin e publikut ndaj reformës në drejtësi dhe pritshmërinë për të goditur të paprekshmit.

/Gazetareforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento