Rritja e çmimit të bukës ka sjellë reagime të shumta dhe ka ndikuar drejtpërdrejtë në ekonominë e çdo familjeje. Ditën e djeshme Autoriteti i Konkurrencës, votoi që të mos vendosnin asnjë gjobë për kompanitë importuese të miellit dhe shitjes së tij, duke hedhur kështu poshtë faktin se këto kompani “të kenë vepruar si monopol dhe kanë rritur në grup çmimin e miellit dhe grurit”.
Ditën e sotme zv.kryeministri Arben Ahmetaj është pyetur në lidhje me këtë çështje dhe teksa nuk ka dhënë asnjë koment për rritjen e çmimit të bukës, ka mbështetur vendimin e marrë nga Autoriteti i Konkurrencës. Ahmetaj ka thënë se Autoriteti i Konkurrencës ka profesionist dhe se vendimet e tyre janë marrë me përgjegjësi qytetare dhe profesionale. Po ashtu ka thënë se nuk ka monopol në tregun e miellit. Deklarata e Ahmetaj duket si një mbështetje e hapur e qeverisë për shkeljet e Autoritetit të Konkurrencës.
“Kam shumë besim tek Autoriteti i Konkurrencës, ata janë profesionistë në fushat e tyre dhe si një ent i pavarur e respektojë vendimin e tyre. Për sa më përket mua vendimi që kanë votuar se nuk ka monopol në tregun e miellit dhe nuk ka marrëveshje mes kompanive, praktikisht besoj se kanë bërë një investigim të thellë dhe kanë votuar me përgjegjësi profesionale dhe qytetare”, tha Ahmetaj
Sjellim në vëmendje se vendimi i Autoritetit të Konkurrencës me tre vota pro dhe dy kundër, për të mos gjobitur kompanitë e importit të miellit ka sjellë reagime të shumta. Me një deklaratë zyrtare Partia Demokratike ditën e djeshme ka thirrur Autoritetin e Konkurrencës, në Komisionin e Ekonomisë për të dhënë sqarime. PD-ja ka caktuar datën 4 tetor, pra në mbledhjen e ardhshme të Komisionit të Ekonomisë. Ndër të tjera PD-ja ka thënë se ky institucion ka votuar kundër qytetarëve dhe mirqënies së tyre, por në favor të oligarkëve të miellit. Po ashtu deputetët e PD-së depozituan kërkesën për thirrjen në seancë dëgjimore të Autoritetit të Konkurrencës në datë 4 Tetor ora 11:00 në Komisionin e Ekonomisë lidhur me çështjen e rritjes së çmimit të bukës.
“Duke parë situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria prej shumë kohësh, sot Partia Demokratike, Komisoni i Ekonomisë, dorëzoi kërkesën për thirrje në Komision të Autoritetit të Konkurencës, pasi, jo më larg se dy ditë, ky autoritet me votën pro qeverisë, votoi kundër marrëveshjes së tregut të lirë, votoi kundër qytetarëve shqiptarë për uljen e çmimit të bukës dhe të miellit. Ky Autoritet cënon ndjeshëm mirëqënien e qytetarëve shqiptarë pasi vendimi për të mos gjobitur kompanitë të cilat cënojnë një produkt bazë siç është buka, po bëjnë çdo ditë e më shumë vendime të cilat cënojnë jetën e qytetarëve”, tha nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Sorina Koti, e PD”, thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se një ditë më parë Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur që të mos gjobisë 5 kompanitë e importit të grupit dhe miellit duke mbyllur hetimin 1-vjeçar të thelluar për ta. Kompanitë janë : AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK. Po ashtu ditën e djeshme ka pasur edhe një reagim nga Erion Braçe i cili e konsideroi këtë vendim skandaloz dhe kundër interesit të qytetarëve dhe në favor të disa njerëzve të caktuar.