“Vendi nuk ka nevojë për burra të fortë para kamerave”, Hajdari zbardh detajet e takimit me Metën

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryetarja e Grupit Parlamentar të PD, Rudina Hajdari, zhvilloi ditën e sotme një takim me presidentin Ilir Meta.

Në një postim në rrjetet sociale, Hajdari zbardhi bisedën me kreun e shtetit.

Deputetja shkruan se i ka thënë Metës, si dhe do t’u kërkojë edhe faktorëve të tjerë politikë, që të ndalin lojën e vjetër, që ka vënë në shënjestër institucionet e drejtësisë.

Sipas saj, për 29 vite, klasa politike ka dobësuar e deligjitimuar qëllimisht institucionet, në mënyrë që i vetmi autoritet të ishte krerët e partive.

Hajdari shton, se ditën e sotme vendi nuk ka nevojë për burra që hiqen të fortë para kamerave, por për institucione të forta.

Postimi i plotë

I kërkova Kryetarit të Shtetit, Presidentit të Republikës, dhe në vazhdim do ia kërkoj edhe Kryeministrit e të gjithë faktorëve politikë, që të ndalin urgjentisht lojën e vjetër dhe të shëmtuar politike e cila ka vënë në shënjestër institucionet e drejtësisë me qëllim delegjitimimin e tyre. Për 29 vite me rradhë, kjo klasë politike i ka dobësuar e delegjitimuar qëllimisht institucionet, në mënyrë që i vetmi autoritet në vend të ishin kryetarët e dy apo tre partive. Prandaj për 29 vite Shqipëria ka parë shumë krim dhe aspak ndëshkim.
Ka ardhur koha që kjo të marrë fund. Vendi, sot më shumë se kurrë, ka nevojë jo për burra që hiqen si të fortë para kamerave, por për institucione të forta të cilat japin drejtësi për të gjithë, të varfër apo të pasur, me apo pa pushtet. Ka ardhur koha që vendin ta qeverisin institucionet, ligji dhe kushtetuta.

Shpërndaje
Share.

Komento