Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Tiranë zhvilloi një takim me anëtarët e Asamblesë së Partisë Socialiste të Njësisë 3. Gjatë fjalës së tij ai iu rikthye protestës së disa kohëve më parë të banorëve që u prekën nga procesi i rindërtimit tek lagjja “5 Maji”. Ai u shpreh se banorët do të marrin mbështetjen nga bashkia nëpërmjet bonusit të qirasë, deri në përfundim të banesave të reja. Por gjithashtu ai nuk la pa thumbuar protestuesit dhe kundërshtarët politik.
“Kur Nënë Liza shkoi në Parlament për t’u ankuar, sipas saj, për projektin e rindërtimit te “5 Maji”, njerëzit nuk e dinin që, në fakt, personi që dëgjonte me durim pretendimet e saj pse duhej lejuar zaptimi dhe pse nuk duhej lejuar zhvillimi, ishte vajza e pronarit që Nënë Liza i kishte zënë pronën (Klotilda Ferhati-Bushka). Vetëm një socialiste mund ta dëgjojë me durim zaptuesin e pronës së saj dhe të thotë se kjo është demokracia. Ne do e dëgjojmë edhe zaptuesin, edhe histerikun, edhe gjithologun, por në fund vendos shumica. Kjo nuk do të kishte ndodhur po të ishte dikush tjetër në atë pozicion. Imagjinoni sikur në vend të Klotildës të ishte ndonjë nga ata të SHQUP-it, me qysqi, me kokëdash e vare! Aty do kishte plasur sherri, e jo më ta dëgjonin me respekt. Mandej, kur pashë fotografinë e Nënë Lizës që përqafohej me drejtorin e IMT-së, që po kryente pastrimin e territorit, mendova se me pak durim, kryesisht të Klotildës, çdo njeri e kupton se do të jetojnë edhe ata që kanë zaptuar, por edhe ata të cilëve u është prishur shtëpia nga tërmeti dhe nuk i kanë rënë në qafë askujt”, tha Veliaj.
Veliaj nuk harroi të ndalet edhe tek zgjedhjet vendore të vitit tjetër. Përveç ironizimit që i bëri PD-së dhe LSI-së, ai kërkoi një mobilizim të strukturave dhe se zgjedhjet në PS konsiderohen një fushatë komunikimi me qytetarët.
“Zgjedhjet në PS zgjojnë një interest ë veçantë te qytetarët. Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar rreth 80 parti. Për 79 të tjerat, nuk i bëhet vonë njeriu sepse e dinë që s’kanë për të fituar kurrë. A ka ndonjë kuriozitet se çfarë do të ndodhë në 25 korrik me LSI-në? Do ikë gruaja, do vijë burri! Nëse do kapin ndonjë variant tjetër, atëherë do ikë burri, do vijë gruaja! Po s’ka ndonjë kuriozitet, se aty dihet, qepenin do e hapë o njëri, o tjetri! A ka njeri kuriozitet për zgjedhjet e Partisë Demokratike? Mund të ketë ndonjë kuriozitet të tipit: kush do rrahë kë? Kush do djegë kë? Kush është me qysqi e kush është me vare? Kurse kur votohet në Partinë Socialiste, patjetër që ka kuriozitet, edhe nga ata që nuk janë anëtarët tanë, edhe nga ata që janë fare të paangazhuar sepse PS është partia që do qeverisë qytetin dhe vendin”, theksoi Veliaj.
Partia Socialiste, po kryen një proces të riorganizimit të brendshëm, në kuadër të së cilit po synon ripërtëritjen dhe rienergjizimin e çdo strukture të saj nëpërmjet bashkëkryesisë. Kujtojmë se vitin e ardshëm janë zgjedhjet dhe PS është angazhuar që tani me përgatitjet për vitin e ardhshëm. Gjatë kohëve të fundit kemi parë takime të shumta të PS-së me strukturat. 2 ditë më parë Rama mblodhi të gjithë kryetarët e bashkive në ‘Pallatin e Kongreseve’.