Skip to content
Bota

Vdekja e princit Philip, Papa i shpreh ngushëllime familjes!

· 2 min lexim

Princi Philip ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 99-vjeçare. Duka i Edinburgut humbi jetën në Kështjellën e Windsor-it si pasojë e një sëmundje të rëndë, 28 ditë pasi iu nënshtrua një operacioni në zemër.

Papa i ka shprehur ngushëllimet e tij Mbretëreshës në një telegram të shkruar nga sekretari i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, raporton Vatican News .

Në vitin 1980, Mbretëresha Elizabeth u bë monark-ja e  parë britanike që vizitoi Vatikanin, dhe dy vite më vonë e para mbretëreshë që u vizitua nga Papa. Mbretërit dhe mbretëreshat e Anglisë kanë qenë krerët e kishës Anglikane që kur ajo u nda nga Vatikani gjatë mbretërimit të Henry VIII në shekullin e 16-të.

Në mesazhin e tij, Papa shkruante se ishte i pikëlluar  për vdekjen e Princit Philip, duke i shprehur  ngushëllime të përzemërta mbretëreshës dhe anëtarëve të familjes mbretërore.

Papa në mesazhin e tij ngushëllues, përmendi përkushtimin  e Princit Philip ndaj martesës dhe familjes së tij, historinë e tij të shërbimit publik dhe angazhimin e tij për arsimimin dhe përparimin e brezave të ardhshëm.

Ditën e djeshme, pallati i Buckingham njoftoi: “Me dhimbje të thellë madhëria e saj Mbretëresha njofton vdekjen e burrit të saj të dashur, Lartmadhërisë së Tij Mbretërore Princit Philip, Dukës së Edinburgut. Lartësia e Tij vdiq paqësisht këtë mëngjes në Kështjellën Windsor”.