Skip to content
Aktualitet

Vdekja e Paulin Prekës, Luan Rama: Na i fal lotët e dhimbjes!

· 2 min lexim

Ish-nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale ka dhënë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Paulin Prekës.

Rama e ka cilësuar artistin si zotëri, për shkak se sipas tij ishte mishërim i mençurisë e qytetarisë shkodrane.

“Ike për të qenë shëmbëlltyrë e njeriut që fali vetëm mirësi dhe dashuri.”, ka shkruar ndër të tjera ai. Ndër të tjera Luan Rama ka një kërkesë “Na i fal lotët e dhimbjes zotni Paulin Preka!”

Statusi nga Luan Rama

NA I FAL LOTËT E DHIMBJES

ZOTNI PAULIN PREKA !

Na ke mësuar të të duam me humorin tënd të fisëm zotni Paulin Preka, mishërim i mençurisë dhe qytetarisë unike shkodrane.

Na u bëre i dashur me praninë tënde përherë elegante, përmes artit të një cilësie të epërme, veti e artistëve të një lloji të veçantë që skenës shqiptare nuk i vijnë shpesh.

Ike për të qenë shembëlltyrë e njeriut që fali vetëm mirësi dhe dashuri.

Do të mbetesh modeli dhe referenca e njeriut artist dhe e artistit njeri, përmbledhur në fjalën magjike që në Shkodër merr vlerë dhe ngjyresë të veçantë: ZOTNI !

Na i fal lotët e dhimbjes zotni Paulin Preka!

Të ndrittë shpirti!