Promovimi në krye të institucioneve publike të personave me një të historik “jo të pastër” tashmë është bërë një gjë e zakontë për qeverinë shqiptare.
Autoriteti i Konkurrencës, i cili njihet si “kampion” për afera të paligjshme do të vazhdojë në të njëjtën linjë duke vendosur në krye të saj një person që i përshtatet interesave të tij.
Autoriteti i Konkurrencës nuk po reagonte prej 8 vitesh kur vendi po përballej me një rritje të frikshme të çmimit të vajit. “Gazeta Reforma” ka denoncuar prej kohësh aktivitetin jo të ligjshëm të AK.
Gjithashtu përsëri kur rritja e çmimit të bukës ishtë e lartë Autoriteti i Konkurrencës nuk e menaxhoi situatën ashtu sikurse duhej, madje relativisht në të gjithë procesin ka bërë më së shumti “sehir”.
Një tjetër çështje për të cilën Autoriteti i Konkurrencës duhet të reagonte por që nuk e bëri ishte rritja e çmimit të karburanteve në vend.
Së fundmi është urdhëruar emërimi i Denar Bibës në krye të Autoritetit të Konkurrencës, një institucion i rëndësishëm kundër deformimit të tregjeve, monopoleve dhe oligarkisë.
Në shtator të këtij viti, Denar Biba shpëtoi me anë të votës së tij si pjesë e komisionit kompanitë e prodhimit të miellit nga një gjobë 5 milionë euro pas paktit për rritjen e çmimit të bukës, përmes një marrëveshjeje për krijimin e monopolit të miellit dhe paracaktimit të çmimit.
Për muaj me radhë, Komisioni i Konkurrencës hetoi 7 kompani të miellit, për marrëveshje mes tyre në paracaktimin e çmimit dhe manovrave me rezervat e miellit.
Komisioni i Konkurrencës përgjatë hetimit ka konstatuar pazarin mes 7 oligarkëve për çmimin e miellit dhe rrjedhimisht edhe të çmimit të bukës së përditshme.
Në fund, tre anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, Ledia Matja dhe Adriana Berberi kanë votuar për ta rrëzuar gjobën, duke hedhur poshtë kështu punën 1 vjeçare të komisionit që hetoi në lidhje më këtë çështje.
Po gjithashtu Denar Biba ka edhe histori të tjera përforcuese të faktit pse ai nuk duhet të jetë në këtë pozicion.
Në vitin 2018, u publikua një audiopërgjim, ku dëgjohej ish kreu i KQZ Denar Biba që shantazhonte gjyqtarin shqiptar të Strasburgut, Ledio Bianku për të ndikuar mbi proceset gjyqësore që kishte qeveria shqiptare për pronat në Strasburg. Edhe pse shantazhi u pranua nga Denar Biba, skandali kaloi pa asnjë ndëshkim.
Kujtojmë, se më 30 dhjetor 2019, gruaja e Denar Bibës, ish-Këshilltare Ligjore në Gjykatën e Lartë, dha dorëheqjen 1 javë para datës së “Veting”, nga frika e pasurive të paligjshme dhe cënimit të integritietit gjatë ushtrimit të detyrës.
Por nuk vonoi shumë dhe më 14 shkurt 2020, ose 40 ditë pas shkarkimit nga KPK dhe përjashtimit për 15 vite nga sistemi i drejtësisë, kryeministri Edi Rama e emëroi Anëtare të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator të Ujit në Ministrinë “Balluku”.
Në momentin që po diskutohej kandidatura e Denar Bibës, për Kreun e Autoritetit të Konkurrencës në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Braçe u shpreh se ka rezerva për figurën e personit në fjalë.
“Kam rezerva për integritetin e zotërisë, kur të jem ballë për ballë, po e lë me kaq. Kam rezerva. Ai nuk është se ka qenë ndonjëherë pjesë e strukturave të PS. Puna e bërë deri tani në Autoritetin e Konkurrencës, vlerësimi është tërësisht negativ. Dhe i jam referuar qëndrimeve publike të marra në atë institucion. Po ua them që për mua vlerësimi është negativ, nuk është kuptuar fare roli i atij institucioni. Është aty për të mbrojtur interesi publik, madje edhe kur shtypet një apo dy kompani në treg, nga fuqia korruptive, klienteliste e kompanive të tjera, ajo që shqyrtohet është interesi publik, liria e tregut. Kjo është natyra e atij institucioni,” tha Braçe.
Ndërkohë që shumica po bëjnë “një sy qorr dhe një vesh shurdh” për emërimin e Denar Bibës në krye të Autoritetit të Konkurrencës, Braçe në këtë rast po bën rolin e opozitës.
Ndërkohë të tjerë që janë shprehur kundër emërimit të Denar Bibës si drejtues i Autoritetit të Konkurrencës janë Alfred Rushaj, Edmond Spaho dhe Arbi Agalliu.
“Nuk gjykojmë se zotëria do të ketë besimin të një pjese të mirë që ai është personi i duhur për ta udhëhequr këtë institucion. Është i akuzuar nga një anëtar i gjykatës së Strasburgut për ndërhyrje në një çështje në GJEDNJ”, pohoi Alfred Rushaj.
Ndërkohë Edmond Spaho u shpreh: “Ka institucione që ne i quajmë të pavarura ndërkohë që janë thellësisht politike, dhe ky është rasti tipik i emërimit të një njeriu politik”.