Skip to content
Aktualitet

Vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive, asnjë reagim nga autoritet përkatëse

· 3 min lexim

Në muajin korrik vendi ynë u përfshi nga një numër i madh vatrash zjarri të cilat u favorizuan edhe nga temperaturat e larta. Vatrat më të rrezikshme  ishin Karaburuni i cili rrezikonte Parkun Kombëtar të Llogarasë, zona mbi tunelin e  Kalimashit, mbetjet në  Sheq të Fierit dhe Maja e Rrunës. Ndërsa situata doli jashtë kontrollit në fshatin Asim Zeneli dhe zjarri shkaktoi edhe dy viktima,  Andrea Haxhiaj, 64 vjeç, banor në një fshat në Njësinë Administrative të Lunxhërisë, (qarku i Gjirokastrës)  ai u gjend i pajetë në kopshtin pranë banesës, nga asfiksia në përpjekje për të shuar flakët që kishin përfshirë vreshtin e tij, ndërsa gruaja e tij u dërgua në spital ku dhe ndërroi jetë më vonë.

Zjarret u përhapën pothuajse në të gjithë territorin e vendit, ndërsa kapaciteti për përballimin e situatës fillimisht ishin modeste, më pas erdhën edhe ndihma nga BE-ja, por as ato nuk ishin shumë efektive pasi mijëra hektar pyje u dogjën në vend.

Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Emergjencave Civile zjarret e pushtuan vendin nga veriu në jug duke përfshirë puyje, kullota dhe prona private në 13 rrethe: Shkodër, Lezhë, Pukë, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë.

Në Vlorë dhe Fier janë shkatërruar qindra hektarë me pyje, kullota e mijëra rrënjë ullinj. Banorët e 3 fshatrave në luginën e lumit Drino në Gjirokastër, u evakuuan nga forcat e Policisë dhe të Ushtrisë.

Por situata duket se ende nuk është stabilizuar ku vetëm dy ditë më parë, në fshatin Panaja të  Vlorës ka pasur një tjetër vatër zjarri e cila shkrumboi qindra rrënjë ullinj. Flakët dolën jashtë kontrollit dhe bllokuan aksin Vlorë-Fier. Flakët vazhduan për disa orë rresht dhe vatrat po kërcënoni  zonat e banuara, pasi u favorizuan edhe nga era e fortë. Gjithashtu në disa media u raportua se ka pasur edhe shpërthime municionesh. Po ashtu as për këtë rast nuk pati asnjë reagim zyrtar nga institucionet përkatëse.

Një tjetër zjarr i madh ka shpërthyer edhe në Landfillin e Lushnjes ditën e djeshme, mësohet se zjarri kishte nisur në orët e para të mëngjesit dhe ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes, as për këtë rast nuk kemi pasur reagim nga autoritet përkatëse.

Zjarri ne Landfillin e Lushnjes