Skip to content
Sociale

Varianti “Delta”, Tomini apel qytetarëve: Vaksinohuni tani për të qenë të mbrojtur në vjeshtë

· 2 min lexim

Me konfirmimin e variantit “Delta” në vendin tonë, autoritetet shëndetësore kanë shtuar thirrjet për qytetarët, që të vaksinohen sa më shpejtë në mënyrë që të frenojnë përhapjen e viruseve të reja që janë në qarkullim. Gjithashtu nga të dhënat zyrtare të vaksinuarit kundër COVID-19 në Shqipëri kanë kaluar 1 milion e 198 mijë, ndërsa rreth 24 % e popullsisë i ka marrë të dyja dozat e vaksinës.

“Është e rëndësishme që vaksinimi të përparojë me ritme të larta”, ka thënë Eugena Tomini. 

Gjithashtu varianti  indian i koronavirusit i quajtur “Delta”, po prek më shumë të rinjtë dhe të pavaksinuarit, ndërsa  numri i të infektuarve po pëson rritje nga dita në ditë. Zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini i bën apel të gjithë qytetarëve që janë mbi moshën 18-vjeç, që të përfitojnë nga muaji i hapur i vaksinimit për të qenë më të mbrojtur gjatë vjeshtës.

“Nëse do jemi të vaksinuar është e rëndësishme të parandalojmë format e rënda, hospitalizimin dhe për rrjedhojë edhe vdekjen. Përgatitja për vjeshtë-dimër fillon tani”, shprehet Tomini.

Ashtu si dhe shtete të tjera dhe në vendin tonë ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë mundësinë për  të përforcuar mbrojtjen anti-COVID me një dozë të tretë vaksine.

 “Ekspertët shikojnë dhe vlerësojnë situatën jo vetëm në rajon por edhe në botë. Deri më tani nuk është gjykuar marrja e një doze të tretë”, thotë ajo.

Sjellim në vëmendje se gjatë gushtit çdo person mbi 18 vjeç mund të marrë vaksinën anti-Covid duke u paraqitur në qendrën shëndetësore vetëm më kartë identiteti.