Skip to content
Bota

Valë e tretë infektimesh? Franca nën masa të rrepta kufizuese, ‘izolohet’ Parisi

· 2 min lexim

Gjendja kritike dhe rritja e shifrave të infektimeve në Francë kanë bërë që Parisi të izolohet këtë muaj.

Rreth 21 milion njerëz në 16 zona të Francës do të vendosen nën izolim nga mesnata e së Premtes.

‘Këto masa nuk do të jenë aq të rrepta sa bllokimi i mëparshëm’, tha Kryeministri Jean Castex, raporton BBC.  Castex tha se një “valë e tretë” e infeksioneve në vend po duket gjithnjë e më e mundshme.

Situata në Paris është shqetësuese pasi 1,200 persona janë në kujdes intensiv, më shumë sesa në kulmin e valës së dytë në nëntor, tha Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran.

Sipas masave të reja, bizneset jo thelbësore do të detyrohen të mbyllen, por shkollat ​​do të qëndrojnë të hapura.

Njerëzit do të lejohen të lëvizin jashtë në një hapësirë prej 10 km nga shtëpia e tyre dhe nuk lejohen të udhëtojnë në pjesë të tjera të vendit nëse nuk kanë një arsye të fortë.

Ata në zonat e prekura do të duhet të plotësojnë një formular për të shpjeguar pse janë larguar nga shtëpitë e tyre. Ndërsa ora policore do të fillojë në 19:00.

Referuar vendeve të Europës, Greqia dhe Italia janë dy shtetet e tjera mjaftë të prekura nga vala e tretë. Greqia prej javësh tashmë ndodhet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa Italia po përballet me shifra rekord infektimesh dhe vdekjesh që kalojnë 400 persona në ditë.