Urdhëri i Farmacistëve të Shqipërisë i janë drejtuar nëpërmjet një letre kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësië, Ogerta Manastirliu, ku kanë adresuar shqetësimet e tyre.
Ata denoncojnë se po monopolizohet tregu nga rrjeti farmaceutik i depove, biznesmenët që kanë interes vetëm fitimin dhe jo shërbimin që ofrohet nga bluzat e bardha të cilat për të fituar një licencë studiojnë 7 vite akademike
1.Duhen vendosur kriteret për hapjen e farmacive, si sa i takon sipërfaqes, distancës dhe numrit të banorëve për farmaci.
2. Duhet që pronar i subjetit farmaceutik të rivendoset farmacisti drejtues teknik i subjektit (kjo eksperiencë ekziston në vendet e BE, por ka qenë e aplikuar dhe tek ne).
3. Duhet limitim i numrit të farmacive që mund të ketë në pronësi pronari i farmacisë (jo më shumë se tre, referuar vendeve të BE).
4. Mënjanimi i konfliktit të interesit nëpërmjet parashikimeve që ligji duhet të jetë një kriter tjetër që duhet plotësuar kur dikush hap farmaci.
5. Duhet rishikuar marzhi i tregëtimit të barnave.
6. Duhet aplikuar e përcaktuar tarifë shërbimi për farmacistin (ekziston tek të gjitha profesionet e rregulluara që ofrojnë shërbim, nga ky rregull përjashtohet vetëm farmacisti).
7. Vendosja e orarit të shërbimit farmaceutik të jetë kompetencë e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë dhe jo e Ministrit të Shëndetësisë.
8. Importues-shpërndarësit, qofshin ata dhe farmacistë nuk duhet të kenë të drejtë të hapin farmaci. Identifikimi i pronarit/pronarëve nuk duhet të realizohet nëpërmjet NIPT-it, ai duhet të shërbejë si element i dallueshëm i subjektit vetëm në aspektin tregëtar. Identifikimi duhet të realizohet nëpërmjet individit si person fizik me aftësi juridike dhe për të vepruar.
9. Është domosdoshmëri hartimi sa më i shpejtë i një rregulloreje të shërbimit farmaceutik. Pas daljes së një ligji, ai duhet të plotësohet me akte të tjera normative. Ligji aktual i barnave dhe shërbimit farmaceutik ndërhyrjen e fundit e pati në vitin 2014. Jemi ende në mungesë dhe vuajmë pasojat e mosekzistencës së një rregulloreje e cila saktëson gjera specifike që lidhen me ligjin.
10. Të ndryshohen procedurat e deritanishme për hapjen e farmacisë. Miratimi pas kontrollit paraprak në ambientet që do shërbejnë si farmaci, duhet të paraprijë procedurat e nxjerrjes së të dhënave të biznesit të farmacisë pranë QKB.
11. Si institucion që japim dhe heqim të drejtën e ushtrimit të profesonit, përpunojmë të dhëna të cilat lidhen jo vetëm me farmacistin, por dhe me farmacinë, me përgjegjësi të plotë deklarojmë se numri i farmacive lidhur me numrin e banorëve që ndodhet në Shqipëri është shumë herë më i lartë se vendet e BE dhe rajonit. Shpërndarja e tyre në mosekzistencë të asnjë kriteri nuk garanton mbulim me shërbim farmaceutik në mënyrë të njëtrajtshme, por diferencon dhe shkakton diskriminim tek qytetarët, në një kohë kur e drejta për shëndet është një e drejtë Kushtetuese. Në këtë situate, kur kemi një mbihapje të farmacive, keqshpërndarje të tyre, mosekzistencë të asnjë përcaktimi sa i takon kritereve të hapjes së farmacisë, por dhe të pronarit që ka të drejtë ta hapi atë, do na dukej shumë e udhës dhe në mbrojtje të qytetarëve dhe shërbimit farmaceutik, pezullimi deri në normim dhe stabilizim, sa i takon hapjes së farmacive.