Skip to content
Të Gjitha

UKT nis ndërrimin e matësave të ujit, detyron abonentët që t’i paguajnë nga xhepi i tyre

· 2 min lexim

Tirana prej më shumë se një muaji vuan mungesën e furnizimit me ujë.

Ndërkohë, nga ana tjetër Ujësjellës Kanalizime Tiranë, ka filluar procedurën e verifikimit dhe kolaudimit të aparateve matës.

Verifikimet do t’i nënshtrohen të gjithë ujëmatësit, që kanë kaluar 5 vjet nga instalimi, shkruan “Monitor”.

Në rast se pas verifikimeve është e nevojshme që të ndërrohet, atëherë kostot e furnizimit dhe instalimit do t’i paguajnë konsumatorët, sipas faturës që jepet nga operatori.

Pagesa që duhet të paguajnë qytetarët nuk është bërë e ditur nga UKT.

UKT ka njoftuar, se gjatë këtij procesi qytetarët duhet të jenë të pranishëm.

Në përfundim të kolaudimit, aparati ujëmatës do të pajiset me vulën e verifikimit.

Për kryerjen e kolaudimit të matësave të ujit, UKT ka autorizuar subjekte juridike private.

Në momentin që konstatohet se ujëmatësi është jashtë kushteve tekniko-ligjore për përdorim, abonentët duhet të marrin masa brenda 30 ditëve për të siguruar një të ri, sëbashku me aksesorët, të cilët duhet të jenë të verifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë.

Në rast se abonentët nuk marrin masa brenda 30 ditëve, UKT njofton se do të zëvendësojë matësin e vjetër me një të ri, kundrejt një pagese që do të aplikohet në faturën e radhës.