Skip to content
Të Gjitha

U prekën nga COVID-19, drejtoresha e ISHP sqaron gjendjen e fëmijëve

· 1 min lexim

Pasi përditësoi të dhënat rreth COVID-19, drejtoresha e ISHP, Albana Fico iu përgjigj interesit të gazetarëve.

Ajo u pyet për karantinimin e shqiptarëve që do të riatdhesohen, për fëmijët e prekur nga COVID-19 dhe kapacitetet e spitaleve.

Për shqiptarët që do të riatdhesohen që prej ditës së sotme, Fico tha se do të vetëkarantinohen dhe do të monitorohen nga mjeku i familjes.

Në lidhje me 4 fëmijët e prekur nga COVID-19, specialistja u shpreh se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Përsa i përket bluzave të bardha të prekura, ajo bëri me dije se në total janë infektuar 32 mjekë e infermierë, 8 prej të cilëve janë shëruar.

Një çështje me interes ishte edhe kapaciteti i “Shefqet Ndroqit”, ose COVID2, për të cilin Fico sqaroi se disponon 190 shtretër.

Në 24 orët e fundit në Shqipëri u shënuan 11 raste të reja nga 90 testime të kryera.

Në total numri i të prekurve kapi shifrën 223, në mesin e të cilëve 44 të shëruar dhe 11 viktima.

Në spitalin Infektiv ndodhen 76 persona, 6 prej të cilëve në terapi intensive, ku 4 janë intubuar.