Skip to content
Kronikë

U plagos me armë dhe gënjeu policinë, e pëson keq 43-vjeçari në Skrapar (Emri)

· 2 min lexim

Mbrëmjen e djeshme një 43-vjeçar u paraqit në spital i plagosur, dhe deklaroi se ishte vetëdëmtuar me mjet të mprehtë.  Por më vonë u vërtetua se shtetasi ishte plagosur me armë zjarri dhe deklarata e tij ishte e rreme.  Bëhet me dije se  në pranga është vënë Valter Braho, 43 vjeç, banues në Skrapar.  Ndërkohë është shpallur në kërkim 47-vjeçari Andrea Ajasllari,  që dyshohet se e plagosi aksidentalisht me armë zjarri.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

“Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Skrapar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Valetr Braho, 43 vjeç, banues në Skrapar, sepse ditën e djeshme është paraqitur me dëmtime në trup, në Spitalin Rajonal Berat dhe gjatë deklaratës përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, ka pretenduar se ishte vetëdëmtuar aksidentalisht duke punuar në oborrin e shtetasit Andrea Ajasllari.

Nga veprimet hetimore të punonjësve të Policisë, këqyrja e vendit të ngjarjes dhe këqyrja e të dëmtuarit nga eksperti mjeko-ligjor rezultoi se ky shtetas ishte plagosur me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve shpallën në kërkim, për veprat penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia” dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasin A. A., 47 vjeç, pasi dyshohet se në oborrin e banesës së tij, në fshatin Grevë, Skrapar, ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri shtetasin V. B. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme“, njofton policia.